Transmetuar më 05-11-2022, 15:31

TIRANË- Bordi i Transparencës për çmimet e karburanteve në Republikën e Shqipërisë, pas një heshtje gati 3 javore, u mblodh më në fund dhe pas dy takimeve radhazi, çmimet aktuale të fiksuara prej tij janë këto: Një litër naftë sot në Shqipëri kushton 232 lekë, benzina shkon deri në 242 dhe litri i gazit tregtohet për 74 lekë/litri.

“Sot po e lëviz makinën se po çoj nënën në spital, dhe me këto çmime, 232 lekë nafta, makinën e nxjerrim vetëm për hall. Bordi harroi të mblidhej, por edhe kur u bënë bashkë, u lodhëm shumë që e ulën me pak lekë naftën. Më mirë ta mbanin sa ishte, se asgjë nuk ndryshon.

Makinën e kam, por nuk e lëviz fare. Çmimet në qiell, ndaj përdor biçikletë, motor. Vetëm kur dal jashtë Tirane e marr makinën. Edhe vendet më të zhvilluara e kanë më pak naftën e benzinën. Tek ne rroftë sebepi. Vetëm dimë të ngremë çmime, t’i ulim, as që bëhet fjalë. “- u shprehën qytetarët.

Çmimet e karburanteve në vendet fqinje me ne, ku edhe niveli i jetesës është i ngjashëm, janë shumë më të ulëta se në Shqipëri. Në Kosovë nafta sot kushton 199 lekë për litër ndërsa benzina është akoma më e lirë, 169 lekë litëri. Një tjetër rekord është në Maqedoninë e Veriut ku nafta kushton 184 lekë për litër dhe benzina me pak, 175 lekë/litri.

Ndërsa në Greqi sot një litër naftë shitet mesatarisht me 232 lekë për litër, po aq sa në Shqipëri. Ndërkohë që kostot në Greqi janë shumë më të larta se në Shqipëri, që nga taksat deri tek fuqia punëtore. Shqiptarët ndërkohë do vazhdojnë ta blejnë naftën po aq shtrenjtë sa edhe Luksemburgasit e pasur të Europës.