Transmetuar më 04-11-2022, 08:33

Mijëra qytetarë, në heshtje, të paktën deri tani, po kapërdijnë një abuzim të papranueshëm nga autoritetet shtetërore. Ata po gjobiten dhe nuk arrijnë të paguajnë shumat e majme sepse sistemet e pagesave prej shumë javësh janë jashtë funksionit.

Por çfarë po ndodh?

Që kur sistemi ra në duart e hakerëve iranianë, ai u çorodit dhe njerëzit u gjendën përballë një situate kaotike. Ata që kishin marrë gjoba dhe prisnin të kishin mundësi pagese, panë në aplikacionet e pagesave se këto gjoba ishin zhdukur.

Së fundi, gjobat e para disa javëve janë rishfaqur, kurse gjobat e muajve të fundit, as që bëhet fjalë.

Në aplikacionet e bankave, nuk rezulton asnjë gjobë e kësaj periudhe edhe kur abonentët kanë regjistruar mjetet e tyre. E njëjta gjë edhe në faqen shtetërore, si dhe në pikat e ndryshme të pagesave kudo në vend.

Për më tepër, shumë njerëz as që e dinë që janë gjobitur. Një qytetar tregon: Marr shpesh gjoba parkimi sepse në këtë kryeqytet ku jetojmë, thjesht nuk ke ku të parkosh. Dhe kam regjistruar mjetin që të shoh herë pas here nëse kam gjoba, pasi shumë herë, policët presin gjobën në mungesë dhe e vënë para makinës që herë herë nuk e gjen, prandaj deri më parë e mësoja vetëm nga aplikacioni."

Tani çdo gjë është kaos. Ti nuk di nëse ke gjobë, nuk e paguan dot me 20 për qind reduktim brenda 5 ditësh dhe as me vlerën e plotë, por kalon me kamatë. Dhe kamatat është e kripur, shkon në 60 për qind të vlerës së vetë gjobës.

E gjitha po ndodh aspak për faj të qytetarëve, ata janë thjesht të dëmtuarit sepse shteti jo vetëm që vazhdon të arkëtojë, por po merr në mënyrë abuzive shumë më tepër lekë përmes kësaj skeme të papranueshme.

Në këto kushte, e vetmja zgjidhje korrekte është që qeveria të ndalë deri në normalizimin e sistemeve, kamatat e gjobave dhe të lejojë qytetarët të paguajnë gjobat me 20 për qind zbritje siç e parashikon ligji për pagesat në 5 ditët e para. /noa.al