Transmetuar më 11-10-2022, 19:14

Bruksel- ‘Kosova është Evropë’! Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, gjatë fjalimit të tij në Asmblenë e Këshillit të Evropës, ka bërë thirrje që Kosova të njihet nga të gjitha shtetet e Këshillit të Evropës. Teksa po fliste Goncharenko bëri të ditur se e ka sponsorizuar projektligjin në parlamentin ukrainas për të njohur pavarësinë e Kosovës. Ndër të tjera, ai tha se autokracitë dhe tiranitë po përpiqen të ndikojnë në Ballkanin Perëndimor dhe se po përpiqen ta përdorin këtë rajon për të pasur më shumë gjakderdhje dhe më shumë kaos në botë. Ndërkohë që fjalën e tij të fundit, Goncharenko e mbylli në shqip, duke theksuar se Kosova është Evropë.

"Kosova duhet të njihet nga të gjitha vendet e Këshillit të Evropës. Për momentin dymbëdhjetë vende nuk e kanë njohur atë. Ju drejtohem, ju lutem ta njihni këtë vend si shtet të pavarur siç ata luftuan për të ardhmen e tyre, për pavarësinë e tyre. Ata duhet të jenë këtu së bashku me ne. Ata duhet të jenë pjesë e Këshillit të Evropës. Vetëm kështu mund të jemi më të fortë dhe ky vend do të lulëzojë gjithashtu. Unë e kam sponsorizuar projektligjin në parlamentin ukrainas për të mbështetur dhe njohur pavarësinë e Kosovës dhe ne të gjithë duhet ta bëjmë këtë, dhe së bashku të ecim përpara. Pra, le të mbështesim botën e lirë, le të jemi më të fortë, më të mëdhenj, le ta mbështesim Ballkanin Perëndimor dhe Kosova është Evropë”, tha Goncharenko.