Transmetuar më 04-10-2022, 18:58

Tiranë- Policia ka shpallur në kërkim 23-vjeçarin Kevin Zeneli i njohur dhe me mbiemrin ‘Suçi’ i akuzuar si person kyç në ekzekutimet dhe tentativat e vrasjeve që u zbardhën nga operacioni i fundit ‘Porositësi’.

I riu rezulton të jetë qitës vetë por edhe ‘kontraktor’, duke porositur vëllezërit Gentian e Indrit Beqiraj për vrasje.

Kevin Zeneli alias Suçi rezulton të jetë autori i vrasjes së kamarierit Erion Çela në zonën e “Don Bosko-s” më 4 janar të këtij viti.

Vrasja ndodhi gabimisht pasi në të vërtetë 23-vjeçari kishte si synim të ekzekutonte Geron Hysenbelliun për llogari të Kasandër Nogës, i cili është në hasmëri prej vitit 2000 me Erion Hysenbelliun, të cilin e plagosi në Belgjikë.

Kevin Zeneli alias Suçi nga hetimet del edhe në rolin e ekzekutorit në vrasjen e Arben Merkurit, i njohur ndryshe si ‘Maneci’.

Në këtë vrasje ku financues rezulton Kasandër Noga, Kevin Zeneli u ndihmua nga vëllezërit Beqiraj.

23-vjeçari është shpallur në kërkim.

Një emër tjetër që bie në sy në zbardhjen e ngjarjeve është Ilirjan Feçi i arrestuar gjatë operacionit ‘Plumbi i Artë’.

Ai rezulton lidhje e ngushtë e Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës me të cilët ka kryer grabitje në vitet 2011-2012 në Kavajë.