Transmetuar më 03-10-2022, 23:09

Tiranë- Kryeministri Edi Rama ka folur për zgjedhjet vendore 2023. Rama është shprehur se nuk ka vendosur ende asnjë emër për kandidatët për kryebashkiakë që do të garojnë në zgjedhjet lokale të vitit 2023. I ftuar në ‘EuroNews’, ai tha se emrat do të vendosen bashkarisht, por përjashtoi Lelin. Sipas Ramës, Dritan Leli është përjashtuar nga Partia Scoialiste e prej kohësh nuk është më kryebashkiak i Vlorës.

Për rrjedhojë, sipas tij Leli nuk mund të rikandidojë. Përsa i përket Tiranës, Rama rikonfirmoi sërish kryebashkiakun Erion Veliaj. Ai tha se nuk sheh asnjë kandidaturë tjetër të mundshme për Bashkinë e Tiranës.

“Kur të vijë dita që t’i nxjerrim, nuk kemi pse t’i nxjerrim tani. Dritan Leli nuk është kryetari i Bashkisë së Vlorës, ka shumë kohë, është përjashtuar nga Partia Soicaliste. Nuk kam asnjë emër, ëhstë një process që vjen pas një diskutimi të përbashkët siç kemi bërë edhe më herët. Unë nuk shikoj që ne kemi një kandidaturë tjetër në Tiranë. Nuk shoh, në sensin që mua më duket sikur ai është kandidatura jonë, por do të shohim rrugës,”- tha Rama ndër të tjera.

Zgjedhjet lokale të 2023-shit pritet të mbahen mes muajit prill e maj, por data nuk është caktuar ende. Vendi ynë është i ndarë në 61 bashki, 59 prej të cilave drejtohet nga kampi rozë, Shkodra ka në krye demokratin Bardh Spahia, ndërsa në Finiq drejton Kristo Kiço, i dalë nga MEGA.

Kryesia e Partisë Socialiste ka zgjedhur skuadrën e re organizative zgjedhore e ka bërë lëvizje për drejtuesit e qarqeve, por nuk ka ende një listë me kandidaturat. Ndërsa Opozita nuk ka ende një skenar për futjen në zgjedhje. Sali Berisha, kreu i PD-së dhe Ilir Meta që drejton PL-në janë në biseda me aleatët e tjerë, por nuk dihet ende nëse do të dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhje.