Transmetuar më 03-10-2022, 22:25

KUÇOVË- Aksident në aksin nacional Kuçovë-Elbasan, në fshatin Vlashuk. Një 33-vjeçare nga qyteti i Kuçovës, Fjorela Agalliu, ka qënë duke udhëtuar me automjetin e saj, tip Mercedes Benz, me targa AB 619 GS por ka humbur kontrollin e mjetit duke u përplasur me murin rrethues të një banese në anë të rrugës.

Përplasja ka qënë aq e fortë sa mjeti është shkatërruar para dhe pas, ndërkohë që drejtuesja e mjetit është nxjerrë nga makina me ndihmën e banorëve. Agalliu është transportuar me ambulancë fillimisht në spitalin e Kuçovës dhe më pas në Spitalin Rajonal të Beratit për mjekim më të specializuar.

Mësohet se 33-vjeçarja ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje kanë shkuar efektivë dhe ekspertë të policisë rrugore, që po kryejnë kqyrjen e vendit të ngjarjes, për të zbuluar edhe shkaqet e dinamikën e aksidentit.