Transmetuar më 02-10-2022, 09:40

Durrës- Tentoi të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë me një 50-vjeçare nga Durrësi dhe u largua menjëherë për t’i shpëtuar Policisë, kapet dhe vihet në pranga 65-vjeçari në Durrës.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një person kishte tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë me një 50-vjeçare në fshatin Ishëm kanë organizuar punën për kapjen e tij.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “Perëndimi”, u arrestua në flagrancë M. Sh., 65 vjeç, banues në Ishëm, Durrës.

Ky shtetas, pasi kishte tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase, ishte larguar menjëherë për t’i shpëtuar Policisë, por pas kontrollit të zonës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij.

Gjatë kontrollit në banesën e 65 vjeçarit shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 2 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, si dhe kanë asgjësuar 28 bimë të dyshuara kanabis të kultivuara në oborrin e banesës së tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura", mbetur në tentativë , “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe “Kultivimi i bimëve narkotike".