Transmetuar më 30-09-2022, 23:38

Bieta Sulo ka reaguar në rrjete sociale pasi në puntatën e djeshme ajo u detyrua të mbyllë lidhjen me një nga të ftuarit e saj. Çfarë ndodhi?

E ftuar në emision ishte blogerja Zhaklin Lekatari, ndërsa në një lidhje direkte ishte historiani Olsi Jazexhi. Dyshja patën një debat të ashpër me njëri-tjetrin dhe Jazexhi kaloi në ofendime personale. Ai iu drejtua Zhaklinës me komente të tilla si “fiton para me blogje seksi” apo “t’i numëroj dashnorët që ke pasur”.

Nisur nga kjo, Bieta ndërhyri duke e larguar historianin nga lidhja direkte. Ndërkohë në postimin e bërë në rrjete sociale ajo ka sqaruar se për të është e patolerueshme të përdoren fyerje personale.

“Sot nuk ishte një emision i zakonshëm. Një të ftuari kërkova t’i fikej mikrofoni, derisa vendosa edhe ta largoj nga emisioni. Është jo thjesht e turpshme, por tërësisht e patolerueshme që goditje nën brez: fyerje personale, futje nën çarçafin e krevatit të çdonjërit, lincim publik dhe përdhosje e figurës publike të lejohen.

Sikundër edhe e shpreha dhe reagova ashpër përgjatë emisionit deri në largim të të ftuarit, dënoj çdo fyerje dhe nuk mund të pranoj që pikërisht në ‘Ftesë në 5”, emisionin që ka shtyllë të vetën “mbrojtjen dhe lartësimin e dinjitetit të gruas”, të denigrohet kush mendon ndryshe. As në ‘Ftese ne 5’ dhe as në shoqërinë tonë nuk mundet kush të bëjë “policinë morale”, ka shkruar moderatorja.