Transmetuar më 29-09-2022, 08:09

Tiranë- Amnistia fiskale nuk është mirëpritur nga BE. Kryeministri Edi Rama do të takohet ditën e sotme me ambasadorët e vendeve të huaja në vendin tonë.

Tema kryesore e njoftuar për këtë takim do të jetë amnistia fiskale, nismë e prezantuar nga qeveria për të njohur e për të pranuar investime nga emigrantët shqiptarë me paratë e fituara nga punët ilegale që kanë ushtruar ndër vite.

Problem në lidhje me këtë draft është bërë mundësia e përfshirjes së Shqipërisë në pastrimin e parave, gjë për të cilën ka reaguar edhe Bashkimi Evropian. Më 5 korrik, Bashkimi Evropian është shprehur kundër draftit aktual të ligjit për amnistinë fiskale në Shqipëri, duke nënvizuar se ky draft do të dobësojë kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave.

Sipas Bashkimit Evropian, për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në këtë ligj dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE dhe partnerët e tjerë.

Drafti u është prezantuar ndërkombëtarëve dhe vetë ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se qeveria nuk ka marrë një miratim nga institucionet e Bashkimit Europian dhe njësia e Këshillit të Europës kundër pastrimit të parave Moneyval për projektligjin “Për Amnistinë Fiskale”. Për miratimin në Kuvend të aministisë kërkohen 84 vota, të cilat shumica e vetme nuk i ka, ndaj mbetet për tu parë se cili grup do t’i bashkohet.