Transmetuar më 28-09-2022, 09:00

Në Ukrainë kanë përfunduar katër referendumet në rajonet e kontrolluara nga Rusia. Rreth katër milionë njerëz u thirrën në votime dhe mbi 99 për qind e pjesëmarrësve votuan në favor të bashkimit me Rusinë.

Komisioni Qendror Zgjedhor që kontrollohet nga Moska deklaroi se pas numërimit të 100% të votave, 93.11% "e votuesve kishin votuar për t’u bashkuar me Federatën Ruse".

Këto vota Moska mund t’i përdorë si bazë për të aneksuar më shumë territore, citon noa.al analizën e BBC.

Guvernatorët kukull të emëruar nga Rusia në territoret e pushtuara të Zaporizhzhia dhe Kherson, kanë shpallur rezultatet e referendumeve të mbajtura në ato territore, të njëjtën gjë bënë dhe të ashtuquajturat Republika Popullore të Donetskut dhe Luhanskut.

Moska tha se qindra vëzhgues nga BE dhe SHBA monitoruan gjashtë ditët e referendumeve që u mbajtën në rajonet lindore Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia. Dy të parat janë vetëshpallur Republika Popullore.

Tani, Kremlini mendon se asgjë nuk i pengon që të përsërisin Krimenë e vitit 2014.

Presidenti rus Vladimir Putin pritet të shpallë aneksimin e katër rajoneve në një fjalim në një seancë të përbashkët të parlamentit rus të premten.

Skema duket të jetë e ngjashme me atë të marsit të vitit 2014, kur ai njoftoi se Krimea i ishte bashkuar Rusisë, disa ditë pasi një referendum i ngjashëm u mbajt atje.

Nëse Rusia anekson katër rajonet, të cilat Moska nuk i kontrollon plotësisht, ajo mund ta çojë luftën në një nivel të ri dhe më të rrezikshëm, besojnë analistët. Megjithatë nëse Perëndimi do të mbyllë sytë siç bëri me Krimenë, kjo histori mund të mbyllet si tetë vjet më parë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e akuzoi Rusinë për "shkelje brutale të statutit të OKB-së".

“Kjo farsë në territorin e pushtuar nuk mund të quhet as imitim i referendumeve. Kjo është një përpjekje shumë cinike për të detyruar njerëzit në territorin e pushtuar të Ukrainës të mobilizohen në ushtrinë ruse për t’i dërguar ata të luftojnë kundër atdheut të tyre”, tha ai. /noa.al