Transmetuar më 28-09-2022, 08:32

Sokol Cikalleshi tha se nuk mund të vazhdohet më kështu në kombëtare. Duke qenë se mbajti shiritin e kapitenit ndaj Islandës, ia lejoi vetes disa fjalë më shumë, që mund t’i bluante përbrenda: “Unë i marr përgjegjësitë e mia, siç e thashë dhe më parë. Kombëtarja duhet të ndryshojë. Nuk ka mundësi, jemi të shokuar. Të pësojmë gol në minutën e fundit sërish…

Është një moment “Jo” e madhe për ne. Përballë një ekipi me 10 veta…, iu themi gjithë shqiptarëve ndjesë. Përgjegjësia është e jona. Është një moment kur gjërat duhet të ndryshojnë. Se çfarë, janë njerëzit përkatës që do t’i shohin gjërat. Të pësojmë gol në fund, është sëmundja e vjetër.

Sot kisha shiritin e kapitenit në krah. Unë mbaj përgjegjësinë i pari. Do të ishte mirë nëse s’do të isha pjesë e kombëtares, vetëm ajo të shkëlqejë. Jo vetëm unë, por edhe dikush tjetër. Tani rezultatet janë ato që tregojnë. Ne kemi punuar. Jemi munduar t’i bëjmë gjërat si duhet. Rezultatet tregojnë. Për ne statistikat s’janë të mira”.

 Çfarë ndodh në minutat e fundit dhe pse kemi kaq pakujdesi?

Përgjegjësia është e të gjithëve, pavarësisht se kush luan dhe ne vazhdojmë të jemi në moment jo. Ky goli i sotëm ishte shkatërrimtar, edhe për vetë faktin se ishim në gjendje të vështirë. Gjërat duhet të ndryshojnë, për t’u rikthyer aty ku duhet. Nëse nuk duhet të jetë Cikalleshi, jam gati të marr përgjegjësitë personale dhe të largohem. Duhet një analizë e thellë për të gjetur se çfarë dhe kush duhet të ndryshojë. Unë iu kërkoj ndjesë të madhe atyre tifozëve që ishin në stadium për të na përkrahur.

Pse nuk arritëm ta mbyllim ndeshjen?

Gjërat erdhën mirë, por më pas nuk e mbyllëm ndeshjen dhe kjo na rëndon edhe më shumë. Sot donim një fitore morali, por nuk na eci. Kombëtarja është përgjegjësi dhe duhet të gjithë të tregohemi më të përgjegjshëm.

Duket sikur mungon fryma e grupit dhe nuk sakrifikohet shumë?

Kur mungojnë rezultatet, mungon edhe harmonia në grup. Edhe kur ndodhim gabimet, ka gjithmonë diçka p[ër të korrigjuar dhe nuk mund të kesh grup të fortë. Kjo ndikon drejtpërdrejtë në rezultat. Ne jemi kombëtare e vogël dhe pa harmoninë në grup e kemi të vështirë.

Cili është kapiteni i Shqipërisë?

Kjo dihet. I pari është Berisha, i dyti Hysaj dhe i treti ka qenë Abrashi, por unë kisha më shumë ndeshje, ndaj më takoi mua. Nuk kemi pasur probleme kapitenësh, por duke filluar nga vetja ime, duhet të marrim përgjegjësinë për atë që japim në fushë.

Cili është lidershipi i Kombëtares?

Kapiteni është ai që bën liderin. Në mungesë të Berishës, ka qenë Hysaj, që ka gabuar ndaj Izraelit dhe jemi ndëshkuar. Unë nuk kam shënuar, mesfushori nuk ka mbyllur zonën, ai ka gabuar pasimin. Jemi të gjithë në situatë jo. Unë mundohem të bëj më të mirën, me apo pa shiritin.