Transmetuar më 28-09-2022, 07:18

TIRANË- Trajneri i Kombëtares Edi Reja e merr me qetësi barazimin Shqipëri-Islandë që përfundoi me shifrat 1-1Ai deklaroi se mungesat ndikuan në rezultat. Kishim mungesa të shumta, gati 7-8 lojtarë të rëndësishëm. Ata që luajtën dhanë më të mirën, por në fund mund të fitonim, nëse do të tregonim pak kujdes. Më vjen shumë keq, pasi e flakëm tutje këtë ndeshje dhe vijmë të flasim këtu për të njëjtat gjëra.

FËRSHËLLIMAT- Më vjen shumë keq. Nuk e di, pasi kam kontratë deri në nëntor dhe më pas do të ulemi të flasim me presidentin. Do të diskutojmë dhe do të gjejmë zgjidhje për të ardhmen. Unë mendoj se kemi bërë një punë të mirë gjatë kësaj kohe, duke dhuruar edhe paraqitje të mira, por në kohët e fundit nuk kemi dhënë atë që mundeshim, këtu përfshij edhe veten time. Kemi pasur shumë mungesa dhe nuk kemi qenë aty ku duhet. Megjithatë t’i lëmë justifikimet, pasi kemi aktivizuar shumë të rinj, funksionalë për skuadrën dhe lojën e saj.

LARGIMI- Unë nuk kam asnjë keqardhje, pasi kam bërë një punë të mirë dhe jam munduar të ndihmoj skuadrën. Nuk jam unë problemi i Shqipërisë, pasi po të ishte kështu, presidenti do të ma kishte thënë. Unë jam munduar të përmirësoj qoftë individët, qoftë skuadrën. Ne sot ishim në epërsi numerike dhe duhej të mbyllnim ndeshjen, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë nuk është faji im. Ata kanë bërë 5 gjuajtje dhe katër prej tyre në kuadrat. Ne kemi bërë 22 gjuajtje dhe vetëm 4 në kuadrat, ndaj nëse nuk janë të zotët ta dërgojnë topin në rrjetë, nuk kam çfarë të bëj. Duhet të përmirësohemi në këtë aspekt.