Transmetuar më 25-09-2022, 10:10

ITALI- Detaje të reja nga hetimet lidhur me vrasjen e biznesmenit shqiptar Fatmir Ara, në Itali. Pas arrestimit të një 30-vjeçari më 6 Shtator, mediat italiane shkruajnë se ditën e djeshme janë vënë në pranga edhe 2 persona të tjerë. Bëhet fjalë për një 30-vjeçar dhe një 44-vjeçar, të dy italianë dhe pa precedentë të mëparshëm penalë.

Njësoj si në arrestimin e 6 Shtatorit, edhe këta dy persona janë marrë fillimisht në pyetje për disa orë të premten nga karabinierët. Më pas, ata kanë kaluar në zyrën e prokurorisë dhe janë marrë në pyetje sërish. Siç shkruajnë mediat ndaj tyre ka akuza për bashkëpunim në vrasje me paramendim.

30-vjeçari i arrestuar më 6 Shtator, e pranoi krimin pas disa orësh marrje në pyetje. Fillimisht ai u pyet nga karabinierët për më shumë se 12 orë. Më pas zyrtarët e prokurorisë që për 17 orë të tjera vijuan marrjen në pyetje, gjatë natës dhe ditës që pasoi deri në orët e vona të pasdites. I dyshuari e modifikoi versionin e tij disa herë edhe kur hetuesit i sollën fakte të pakundërshtueshme.

Në fund u thye dhe pranoi vrasjen, duke dhënë edhe të dhëna të sakta për gjetjen e telefonit të viktimës, i hedhur shumë larg nga vendi i ngjarjes, dorezat e përdorura për të kryer vrasjen dhe armën që e kishte me leje.

43-vjeçari shqiptar Fatmir Ara u gjet i pajetë në një zonë të pyllëzuar 2 ditë pasi u shpall i humbur nga familja. Ai ishte qëlluar 3 herë me armë zjarri në kokë ndërsa dyshohet se para vrasjes ai të jetë dhunuar sipas të dhënave të nxjerra nga raporti paraprak i autopsisë.