Transmetuar më 24-09-2022, 16:44

Në katër rajone të Ukrainës që përbëjnë rreth një të gjashtën e territorit, po zhvillohet prej dy ditësh një referendum që përfundon mbrëmjen e së mërkurës. Banorët që më së shumti janë rusë ose prorusë, po votojnë për t’u shpallur Republika të pavarura, skemë e ngjashme me atë të Krimesë e cila më pas u bë pjesë e Rusisë.

Referendumi po mbahet në rajonet Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia, që përfaqësojnë të paktën 15% të territorit ukrainas.

Vetëm ditën e djeshme kanë votuar mbi 20 për qind e popullsisë së këtyre katër rajoneve, duke përfshirë çdo qytetar me të drejtë vote banor zone. Duke pasur parasysh faktin se janë edhe pesë ditë deri në mbylljen e votimeve, ecuria duket befasuese.

Kryetarja e komisionit zgjedhor të instaluar nga Rusia në Kherson, Marina Zakharova tha se pjesëmarrja është e kënaqshme, citon noa.al.

Agjencia ruse e lajmeve Tass tha se referendumi po ecën mirë në të katër rajonet, duke theksuar se bëhet fjalë për territoret e çliruara nga Rusia.

Moska thotë se po ofron një mundësi për njerëzit në rajon që të shprehin pikëpamjet e tyre.

Vëzhguesit ndërkombëtarë

Media shtetërore ruse raporton se procesi i votimit po monitorohet nga vëzhgues ndërkombëtarë, veçanërisht ata nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Sipas kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor të Luganskut, Elena Kravchenko, 50 vëzhgues nga vendet evropiane deklaruan praninë e tyre në qendrat e votimit.

Në Donetsk, 129 përfaqësues të vendeve të huaja, veçanërisht Venezuelës dhe Afrikës së Jugut, mbikëqyrin votimin dhe pothuajse 550 gazetarë nga Britania e Madhe, Italia, Kina, Katari, Franca dhe vende të tjera po mbulojnë procesin e votimit.

Përfaqësuesit e Francës dhe Shteteve të Bashkuara mbërritën në rajonin Kherson për të mbikëqyrur referendumin dhe vëzhgues nga Afrika, Evropa dhe Amerika e Jugut mbërritën në Zaporozhye.

Qendrat e votimit u ngritën edhe në Moskë, për banorët e atyre rajoneve që tani jetojnë në Rusi.

Por çfarë ndodh më pas?

Të mërkurën mbrëma, mbyllet votimi. Duke pasur parasysh precedentin e Krimesë, dy janë alternativat. E para është përsëritja e Krimesë. Më 2014, ky rajon shpalo referendum të mbështetur nga Rusia, për pavarësi. Më pas bëri referendum për bashkim me Rusinë. Gjatë këtyre etapave, SHBA dhe BE heshtën. Ata nuk reaguan duke u mjaftuar me mos njohjen e këtij procesi.

Nëse ndodh sërish kështu, këtë radhë është më e thjeshtë. Dy nga katër rajonet janë shpallur Republika Popullore, si Donetsk dhe Luhansk. Dy të tjerat ende jo. Megjithatë rusët kanë kontroll në këto territore. Procesi mund të bëhet njëlloj si në Krime dhe përfundon pa zhurmë në favor të Kremlinit. Kështu, Putini, me një gur do të vriste dy zogj. Edhe do të merrte ato që ka synuar, edhe ka shkaktuar ndërkohë një krizë globale e sidomos evropiane ndërkohë që Rusia shtoi të ardhurat.

Skema e dytë është e frikshme. Nga njëra anë ekziston mundësia që bota të reagojë ndryshe dhe të bëjë çdo gjë për të detyruar Putinin të mos marrë rajonet ukrainase. E nga ana tjetër kemi mobilizimin ushtarak shtesë të Rusisë për luftë në Ukrainë dhe deklaratën e tmerrshme të Putin se mund të përdorë edhe armët bërthamore që disponon. Në këtë rast, asnjë parashikim nuk mund të bëhet.

/noa.al

Fotot: Reuters