Transmetuar më 22-09-2022, 09:45

Superylli i pop-it Shakira ka dhënë intervistën e saj të parë pas gjithë polemikave që e kanë rrethuar muajt e fundit, që meqë ra fjala nuk janë të pakta. Këngëtarja, e cila arriti majat në vitin 2010, pasi shkroi këngën për Kupën e Botës, duhet të përballet me ndarjen nga futbollisti Gerard Piqué, të përcaktojë kujdestarinë e dy fëmijëve të saj, Milan dhe Sasha, 9 dhe 7 vjeç, dhe të gjejë një zgjidhje për akuzën e prokurorit spanjoll për evazion fiskal.

Edhe pse e gjithë kjo mbetet për t’u zgjidhur, artistja nuk ka dashur të humbasë fokusin në punën e saj dhe tashmë është duke përgatitur albumin e parë pas pesë vitesh, pas disa këngëve të njohura, ndër të cilat është suksesi tashmë mbarëbotëror "Te felicito". Tashmë, me ujërat më të qeta, këngëtarja kolumbiane ka marrë vendimin të shpjegojë momentin në të cilin ndodhet, një fazë që ajo e quan “ora e saj më e errët”. Intervistën ekskluzive e dha për revistën ELLE dhe pa dyshim titujt nuk lënë askënd indiferent.

Përsa i përket muzikës, pyetja ishte e thjeshtë: "Ju keni gati një album të shumëpritur. Po ashtu, ju nuk keni publikuar një album që nga viti 2017…" Pyetje për të cilën ajo është përgjigjur: “Po, tashmë kam një album të kompletuar që më emocionon shumë. Jam shumë e emocionuar jo vetëm për punën që kam në këtë moment për ta ndarë me njerëzit që e presin, por gjithashtu për shpërblimin që ka qenë i gjithë procesi për mua. Proces terapeutik, gjithashtu".

Intervistuesi ka vijuar në lidhje me përgjigjen e mëparshme, duke pyetur: "Ti thua se muzika është në një farë mënyre terapi për ty, pikërisht kur po kalon një kohë të vështirë. Si e përfitoni këtë?" Shakira përgjigjet: "Muzika është shpëtimtare për mua. Ka pasur ditë kur më është dashur të mbledh pjesët e mia nga toka.

Dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë, për ta bërë me të vërtetë, ka qenë përmes muzikës. Ka pasur raste të tjera kur puna më trembte… Unë thjesht doja të isha atje me fëmijët e mi. Dua të them, thjesht doja të rrija në shtrat, të strukesha me fëmijët e mi. Por më duhej të ngrihesha, të xhiroja një video dhe bëja punët e mia”.

Duke lënë mënjanë profesionin e saj, ka mbërritur një nga momentet vendimtare të intervistës, ndarja me Pique: “Oh, është shumë e vështirë të flas për këtë, është hera e parë që flas për këtë situatë në një intervistë, aq më tepër që po e vuaj ende dhe sepse jam në sy të publikut. Paparacët bëjnë kamping para shtëpisë sime, 24/7. Dhe s’ka ku të fshihem prej tyre me fëmijët e mi, përveçse në shtëpinë time.

Ndonjëherë ndihem sikur e gjitha kjo është një ëndërr e keqe dhe unë do të zgjohem në një moment. Zhgënjimi është i madh për të parë se si diçka aq e shenjtë dhe aq e veçantë sa mendoja, marrëdhënia që kisha me babanë e fëmijëve të mi, është vulgarizuar dhe ka pushtuar të gjitha mediat. E gjitha kjo, ndërsa babai im ka probleme serioze shëndetësore. Pra, po luftojmë në fronte të ndryshme. Siç thashë, është ndoshta faza më e errët e jetës sime".

Në mbyllje të këtij kapitulli, erdhi akuza e qeverisë spanjolle për mashtrim tatimor, diçka të cilës edhe këngëtarja ka dashur t’i përgjigjet hapur dhe të tregojë se vazhdon të luftojë për pafajësinë e saj: “Më duhet të mbroj atë që besoj, sepse këto janë akuza të rreme. Kam besim se i kam bërë gjërat në mënyrën më korrekte dhe transparente që nga dita e parë”.

Së fundi, kantautorja e njohur ka përfunduar me një frazë, që tregon se sa vështirë e ka pasur të jetojë me këtë situatë: "Le të presim që ajo vrimë në gjoksin tim të mbyllet dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë".