Transmetuar më 21-09-2022, 23:41

TIRANË- Një qytetar nga Elbasani ka rënë pre e një mashtrimi për një shumë të konsiderueshme parash. Është fjala për qytetarin Shpëtim Qosja, i cili prej 5 vitesh jeton në Suedi, dhe ka kërkuar ndihmën e emisionit Stop në Tv Klan. Një ditë ai merr një mesazh në Facebook, që pretendonte se ishte një zonjë e quajtur Anita Kakuj, e cila i thotë se është “e dënuar me vdekje” nga një sëmundje e pashërueshme dhe do t’i dhurojë pasurinë e saj e 175 mijë Euro.

Ajo kishte lënë një avokat kosovar me nënshtetësi franceze, që pretendonte se quhej Fransis Boyer, i cili premtoi nisjen e procedurës për kalimin e shumës.

“Unë jetoj prej 5 vitesh në Suedi. Papritur më dërguan ftesë në Facebook, Anisa Kakuj. E pranoj ftesën dhe thotë që jam e sëmurë, kam jetuar në Francë, tani jam për momentin në Kanada në spital dhe kontaktoni me avokatin tim dhe pasuria ime do hidhet në emrin tënd. 175 mijë Euro”, thotë Shpëtim Qosja.

Në mesazhin që Anisa Kakuj i kishte dërguar Shpëtimit, shkruhej: “Përshëndetje, si jeni vëlla. Emri im është zonja Anita Kakuj me origjinë shqiptare. Unë dua t’i dhuroj gjërat e mia një personi të ndershëm që i nevojitet. Vuaj nga një sëmundje e rëndë e cila më dënon me vdekje të caktuar. Është kanceri në fyt për të cilin nuk kisha shërim. Nuk mund të martohesha deri më tani, nuk kam pasur fëmijë. Do të doja të bëja një donacion me mbështetje të besueshme dhe të sinqertë, dua dhurimin e kësaj shume para vdekjes sime”.

“Avokati” Fransis Boyer kërkoi fillimisht 250 Euro dhe më pas 600 Euro nga Shpëtimi për procedurat në mënyrë që të realizohej transaksioni. Fillimisht Shpëtimi i kaloi 250 Euro, por më pas u step. Ndaj kërkoi ndihmën e “Stop” dhe së bashku me gazetaren i kërkuan informacion për të dhënat se ku t’i dërgonin paratë. Ai dërgoi një emër, Edon Gjoka në Kosovë. Këto para do t’i merrte pikërisht Edoni. Gazetarja e Stop dhe Shpëtimi i dërguan vetëm 10 Euro, me qëllim për t’i zbuluar atij të dhënat personale.

Tomi Kallajxhi, specialist teknologjie, tregon për fenomenin e mashtrimit në rrjet dhe shpjegon mekanizmat filtrues që duhet të kemi, para se të biem viktima të mashtrimit online.

“Këto skemat kanë filluar që në 1600, quhet skema e të burgosurit spanjoll. Ishte një pirat shumë i famshëm që ishte burgosur dhe ai në qoftë se do i sillje ca të holla dhe do ta ndihmoje gjatë kohës që ai ishte në burg, do merrje gjithë pasurinë e këtij pirati dhe tashmë jemi në vitin 2022 që nuk është më piratët e Spanjës, por janë piratët e Afrikës, por ndonjëherë përdoren edhe si tranzitorë individë në shtete të caktuara për të krijuar besueshmëri më të lartë. Më i madh është probabiliteti që ne të gjithë të vdesim nga një meteor se sa ty të të dhurojë dikush nga gjithë planeti pasurinë e tij. Dhe asnjëherë nuk vjen asgjë rastësisht. Gjithmonë transaksionet do bëhen me PayPal sepse nëse bëhesh pishman edhe brenda 30 ditëve mund t’i tërheqësh ato para mbrapa ose nëpërmjet institucioneve bankare. Gjëja më e rëndësishme është mos t’i bëjnë fare këto transaksione sepse nuk ka vendosur askush t’ju lërë disa milionë Dollarë pasuri”, thotë specialisti i IT, Tomi Kallajxhi.

Marrë nga tvklan.al