Transmetuar më 21-09-2022, 18:46

BRITANI E MADHE- Pati probleme me vizën dhe duket se kaloi çaste depresive, shqiptari hidhet nga ura në Angli.

Mediat vendase shkruajnë se Mirsad Selgjekaj, 37-vjeçari shqiptar që ndërroi jetë pasi u hodh nga ura, kishte pasur vështirësi në zgjatjen e afatit të vizës.

Ai kishte kërkuar që të vijonte qëndrimin në Britani, ku kishte shkuar në vitin 2018. Por, problemet që po i hapeshin me vizën dhe frika se mund t’i refuzohej kishte bërë që shëndeti mendor i Selgjekajt të përkeqësohej.

Mbrëmjen e 22 Prillit, Mirsadi fluturoi drejt Italisë, por u ndalua në kufi dhe iu refuzua hyrja. Ai u kthye me avion në Britani, rreth orës 06:00 të mëngjesit.

Me telefonin e fikur pasi i kishte rënë bateria, Mirsadi u nis drejt urës nga ku u hodh për t’i dhënë fund jetës.

37-vjeçari u shpall i vdekur në vendngjarje. Autopsia doli në konkluzionin se ai kishte humbur jetën si pasojë e plagëve të shumta që kishte marrë gjatë rënies.

Në gjykatë u lexua një letër nga familja e shqiptarit në të cilën thuhej se në Shqipëri kishte punuar si shofer privat, se ishte shumë i lidhur me nënën dhe babain e tij.

Mirsadi, përshkruhej si një njeri i lumtur dhe i shoqërueshëm, i cili kishte shumë miq dhe e kishte kaluar kohën mes Norëich dhe Peterborough gjatë kohës që ishte në Britani të Madhe.

“Mirsadi aplikoi për vizë për të qëndruar në vend dhe kishte vështirësi. Mendohej se disa nga ndryshimet për shkak të Brexit i kishin shkaktuar disa probleme. Ai ra në depresion dhe ankth.

Ishte bërë paranojak, mendonte se njerëzit flisnin pas shpine. Nuk dëgjonte asnjë, thjesht thoshte se duhej të shkonte në Itali. Familja e tij i bleu rroba dhe një valixhe dhe e çoi në aeroport. Nuk na e ka marrë kurrë mendja se Mirsadi do vetëvritej, kurrë. Ishte shumë jashtë karakterit të tij,”- thuhej në letër.