Transmetuar më 19-09-2022, 19:01

SHBA, New York – Kryeministri Edi Rama tha sot nga Nju Jorku se ambasada e Iranit ishte kthyer në sallë operative e sulmeve kibernetike dhe kritikoi administratën Biden për negociatat me Iranin.

Në intervistë televizive, Rama akuzoi ambasadën iraniane se duke qenë në mes të kryeqytetit shqiptar, po punonte si qendër operative për të dëmtuar vendin tonë ndaj dhe tha, e dëboi personelin tërësisht.

Në intervistë, Rama vlerësoi se presidenca amerikane nuk duhet të futet në negociata me Iranin. Këtë ai e tha pasi u pyet nëse duhet të negociojë administrata e Biden me regjimin iranian, ndërkohë që regjimi iranian qartësisht vret personat gay, vret gratë dhe kryen sulme kibernetike kundër aleatëve të NATO-s. Rama tha se "me të tilla regjime, nuk më ngjan një vizion shumë largpamës".

Duke folur për luftën në Ukrainë, Rama u përpoq të minimizojë pasojat dhe shpërfilli faktin e rritjes galopante të çmimeve të thuajse çdo produkti e shërbimi. Rama u ndal te gazi duke thënë se nuk përdoret në Shqipëri dhe shtoi se vendi përdor energji 100 për qind të rinovueshne.

Ndërsa tha se popullariteti i Putinit në vend është vetëm 1 për qind dhe se 99 për qind besojnë se ka një agresion ndaj Ukrainës. Rama nuk tha se nga janë përftuar këto shifra.

Në fund të intervistës Rama zbuloi edhe se tashmë është bërë dhe skulptor. Pasi tha se gjithë kohës në zyrë vizaton e pikturon, Rama tha se e bën këtë edhe duke dëgjuar bashkëpunëtorët, duke folur në telefon. Kurse në fundjava, tha se punon me një mikun e tij dhe bën skulpturat e tij.

Intervista e Kryeministrit Edi Rama u bë sot në “Wake Up America”. Rama ndodhet në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej ditës së djeshme. Ai do të marrë pjesë në punimet e Sesionit të 77 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ky sesion, pritet të mbledhë së bashku liderë botërorë, aktivistë të shoqërisë civile, protagonistë të sektorit privat dhe të rinj nga e gjithë bota, në samite të ndryshme, debate dhe dialog, në qytetin e Nju Jorkut, për një periudhë dyjavore