Transmetuar më 12-09-2022, 22:05

Tiranë- Në ditën e parë të shkollës fëmijët i gëzohen librave të rinj, çantës së re, veshjeve të reja.

Ndryshe nga shumë familje shqiptare Fiks Fare solli rastin e tre familjeve që jetojnë në skamje, fëmijët e të cilëve punojnë për të blerë çantën dhe mjetet shkollore.

Fiksi shoqëroi Enisin 9 vjeç gjatë një dite të zakonshme. Ai shet lule në rrugët e kryeqytetit që të blejnë çantën për në shkollë. Këtë vit Enisi filloi klasën e 3-të. E për të qenë gati me çdo mjet që duhet për mësimin ai i ka siguruar vetë të ardhurat nëpërmjet punës gjatë gjithë verës si luleshitës. Kjo pasi familja e tij prej 6 anëtarësh nuk ia mundëson dot. Familja Visha jeton me qera , pasi shtëpia ku jëtonin u prish nga tërmeti. Kushtet ekonomike të kësaj familje janë shumë të këqija dhe Enisi mundohet që të paktën prindërve të tyre mos t’iu bëhet ‘ barrë’. “Këtë punë e bëj çdo ditë nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 14:00, pastaj nga ora 17:00 deri në darkë dal bashkë me babin . Unë shes lule ai perime të stinës që i mbledhim në fshat” pohon Enisi.

“Deri më tani kam shitur tre buqeta kam dhe një pa shitur. Shumë njerëz më thonë se lulet i hanë gomerët dhe nuk m’i marrin, por unë përsëri i shes. Në gjithë sezonin e verës unë kam shitur lule sepse jemi shumë veta në familje dhe kam dëshirë të ndihmoj babin që të ikim në shkollë. Unë shkollën nuk do ta lë, por edhe punën do ta bëj. Në mëngjes do iki në shkollë do bëj detyrat në shtëpi dhe mbasdite do të dal përsëri me babin. Unë nuk lyp, dua të punoj”,tregon 9-vjeçari për Fiksin.

I ati i Enisit , Shefqet Visha pohon se halli e ka sjell në këtë gjendje. I vjen keq që djali i tij duhet të rritet para kohe dhe të punojë, por është e pamundur të mbajë familjen me ato pak të ardhura që ka. “Kam 4 fëmijë njërin e kam të sëmurë me paralizë, trajtohem me një ndihmë ekonimike, por për 6 anëtarë nuk mjaftojnë“, shpreht ai.

Por familja Visha nuk është e vetmja në këtë gjendje. Fiksi udhëtoi edhe drejt Krrabës ku 3 fëmijë detyrohen të mbledhin manaferra që të mund të blejnë çantën e shkollës.

Lulzimja 12 vjeçe, Ornela 9 vjeç dhe Arbri 6 vjeç bashkë me nënën e tyre Majlindën çdo ditë dalin në kodrinat përreth shtëpisë së tyre për të grumbulluar manaferra. Ornal vajza 9 vjeçe shpjegon se dalin çdo ditë në mëngjes, më pas kthehen në shtëpi për të drekuar e pushuar pak. Më pas mund të vazhdojnë të njëjtën rutinë edhe për pjesën e mbetur të ditës. Por ajo që të bien në sy tek këta fëmijë është etja për dije”. Shkollën e kemi pak larg, në shi dhe në diell bashkë me motrën dhe vëllain ikim në këmbë. Gjatë pushimeve verore s’kam bërë asgjë vetëm kam ndihmuar mamin dilnim çdo ditë për të mbledhur manaferra”, tregon ajo.

Më pas e prekur dhe me sytë me lot thotë: “Dua edhe unë të kem mjetet e reja të shkollës“.

Babai i tyre ka probleme me shëndetin mendor , madje bëhet dhe agresiv ndaj barra e familjes i ka rënë bashkëshortes së tij Majlindës. “Shkollën e kanë thuajse 30 minuta në këmbë. Here i dërgoj me barkun plot herë më barkun bosh. Më kërkojnë të kenë ndonjë lekë në shkollë, por unë s’kam mundësi t’ua jap, shohin shokët dhe shoqet e tyre po s’kam çfarë të bëj. Kushtet në shtëpinë time janë të këqija nuk kam një krevat apo dyshek ku të fle, fëmijët më kërkojnë shpesh gjëra për të ngrënë dhe mjete për shkollën” tregon Majlinda.

Por Fiksi duke parë kushtet tejet e këqija të familjes Likrama së bashku me “Fundjavën Ndryshe” dërgojnë pranë saj ushqime, veshje si dhe çantat e shkollës për të tre fëmijët që edhe ata të ndihen si gjithë të tjerët.