Transmetuar më 08-09-2022, 10:00

Qeveria njoftoi sot se të gjithë konsumatorët familjarë që nga 1 tetori 2022 konsumojnë mbi 800 kw/orë në muaj do të paguajnë 42 lekë për çdo kilovat më shumë.

Deri tani çmimi është 9.5 lekë për kilovat dhe për 800 kilovat, shuma shkon në 7600 lekë pa TVSH e cila është 1520 lekë. Çmimi total shkon 9.120 lekë, pa përfshirë tarifën fikse mujore dhe taksën e televizionit publik.

Kryeministri tha fillimisht në daljen për media që sapo përfundoi, se 90 për qind e familjeve konsumojnë deri 800 kilovat, kurse shtoi se 6 deri 7 për qind e tejkalojnë këtë fushë dhe sipas tij ata janë pronarë vilash.

Pas tij, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj tha se ata që e tejkalojnë fashën janë 4 për qind, shifër që e mbrojti dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Kjo e fundit tha se nga 801 kilovat e sipër, nga 1 tetori 2022 deri më 31 dhjetor 2023 do të paguhet 3.5 lekë nga 9.5 lekë kilovati, plus 7 lekë tarifë transmetimi, në total 42 lekë pa TVSH ose 50.4 lekë me TVSH.

Ajo tha se nga kjo rritje qeveria do të arkëtojë 100 milionë euro më shumë për 15 muaj.

Por a qëndron vlerësimi i qeverisë se vetëm 4 për qind e familjeve, pronarë vilash siç tha kryeministri, e kalojnë fashën 800 kilovat?

Gjatë muajve të dimrit është fakt që konsumi rritet shumë. Për shkak se qeveritë nuk punuan kurrë që familjet të kenë alternativa të tjera për ngrohje dhe gatim siç është kudo në botë, shqiptarët përdorin energjinë elektrike për çdo gjë.

Pallatet e reja që janë ndërtuar nga fillimi i viteve ’90 dhe tani, thuajse asnjë prej tyre nuk ka ngrohje dhe gatim alternativ, si me gaz të lëngët ose lëndë djegëse si vajguri, siç e kanë në mbarë Evropën dhe më gjerë.

Në këto kushte shqiptarët detyrohen të përdorin energjinë elektrike si të vetmen mundësi për nevojat e përditshme.

Përkundër pretendimit të qeverisë se  vetëm 4 për qind e familjeve, pronarë vilash, konsumojnë mbi 800 kilovat në muaj, fakt është se shumë familje, sidomos në dimër e tejkalojnë shumën 9.120 lekë në muaj që është vlera e 800 kilovatëve.

Çfarë ndryshon tani?

Nëse për konsum 1200 kilovat në muaj, keni paguar 13.680 lekë, nga tetori 2022 do të paguhet 9.120 lekë me TVSH për 800 kilovat dhe 20.160 lekë për 400 kilovatët e tjerë.

Mbetet të shohim gjatë këtij dimri se sa në të vërtetë, vetëm 4 për qind e familjeve, pronarë vilash, do të paguajnë më shumë se 9.120 lekë me TVSH që është shuma e 800 kilovatëve të fashën pa rritje çmimi. /noa.al