Transmetuar më 24-08-2022, 09:12

Pekini ishte këto ditë kryeqendra botërore e robotëve. Metropoli aziatik priti Konferencën Botërore të Robotëve 2022 (WRC 2022), gjatë së cilës u shfaqën më shumë se 500 grupe robotësh, 30 prej të cilëve në debutimin e tyre botëror.

Në këtë ngjarje futuristike kishte më shumë se 300 të ftuar, të cilët përveçse shkëmbyen arritjet më të fundit akademike, paraqitën dhe tendencat e zhvillimit në këtë fushë.

Por ekspozita më e madhe dhe autoritare e robotëve jo vetëm në rajonin e Azi-Paqësorit do të kishte vend edhe për publikun e gjerë…

Në ekspozitën prej 26 mijë metrash metrash katrorë, nuk ke kohë të ndalosh shumë gjatë. Aty duket se ke udhëtuar në një planet tjetër, ku humanoidët vetëm rrijnë dhe vështrojnë. Në Tokë “zbret” vetëm kur shikon disa robotë të shndërruar në shitës metalik që zgjedhin mes portokallëve dhe mollëve, apo frutave të tjera, të gjitha të vërteta.

Shumë kompani kineze dhe të huaja të prodhimit të robotëve kanë lançuar produkte për sektorë joindustrialë, si psh. shitja me pakicë e zgjuar.

Ndonëse aplikimi i robotëve bashkëpunues në fushën e shërbimeve tregtare është ende në një fazë të hershme, skenari i "shitjes me pakicë inteligjente" – i favorizuar edhe nga pandemia – po gjeneron tashmë një kërkesë të madhe për porosi, sidomos në Kinë.

Këto lloj robotësh janë të aftë për të ndjekur dhe ndërvepruar me klientin, duke i lejuar gjithashtu ata të bëjnë pagesën direkt, pa para dhe pa radhë në arkë. Së bashku me rënien e vazhdueshme të kostos dhe çmimit të robotëve bashkëpunues, industria e shërbimeve tregtare po pëson një revolucion të vërtetë në sajë të këtyre robotëve.

Duket e çuditshme, por rezultatet e vitit 2021 zbulojnë se robotika ishte një nga sektorët e “inkurajuar” prej pandemisë. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, instalimet e robotëve industrialë në të gjithë globin u rritën me 28 për qind në krahasim me një vit më parë.

Ndërsa në Kinë, pjesa e tregut të robotëve bashkëpunues në shtëpi, pritet të rritet me gati 70 për qind vetëm gjatë 2022-it.

Rënia e pritshme e tregtisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare pas kufizimeve post-COVID, duket se ka favorizuar më tej zhvillimin e industrisë kineze të robotikës, e cila për të përmbushur të njëjtën kërkesë të brendshme, arriti të zëvendësojë në shumë sektorë praninë e robotëve evropianë dhe atyre japonezë.

Ndërkohë një tjetër studim, i kryer nga Qendra për Sigurinë dhe Teknologjinë në Zhvillim ka zbuluar se Kina është lider në botë edhe për sa i përket numrit të patentave të robotikës.

Studimi voluminoz përfshin periudhën nga viti 2005 deri në shpërthimin e Covid-19, kur patentat e robotikës të bëra në Kinë janë më shumë se 25 mijë.

Në podium me Kinën janë edhe dy nga fqinjët e saj, Japonia me 15 mijë dhe Koreja e Jugut, me 11 mijë. Ndërsa ShBA me rreth 9 mijë patenta, mban vendin e katërt në botë.