Transmetuar më 18-08-2022, 08:12

Ditë e re e deklaratave në çështjen gjyqësore kundër Ryan Giggs, të cilin ish-partnerja e tij Kate Greville e ka denoncuar për sulm dhe sjellje shtrënguese. Lojtari legjendar uellsian i Manchester United u ngrit për herë të parë për të pranuar para Gjykatës së Kurorës së Mançesterit se është "njeri flirtues", shpjegoi se "nuk mund t’i rezistojë kurrë një femre tërheqëse".

Po kështu, ai rrëfeu se e tradhtoi ish-gruan e tij (Stacey Giggs) me Kate Greville. Giggs kujtoi se me Kate Greville e filluan lidhjen kur të dy ishin të martuar dhe se ajo u largua nga burri i saj "jo më shumë se gjashtë muaj pas takimit të tyre të parë seksual".

Giggs pati një lidhje tetëvjeçare me partneren e vëllait të tij dhe u përpoq të joshte gjithashtu nënën e kunatës. Uellsiani i njohur tha nga pozicioni i dëshmitarit, sipas fjalëve të publikuara nga gazeta "Daily Mail", se kurrë nuk ka qenë besnik ndaj të gjitha ish-të dashurave të tij dhe e përkufizoi veten si "një person flirtues nga natyra".

Duke treguar jetën e tij të ngjeshur dashurore,  Ryan Giggs foli për tradhtinë publike ndaj ish-bashkëshortes Stacey Giggs me kunatën Natasha, partneren e vëllait të tij, prej tetë vitesh. Në vitin 2011, Giggs i ofroi vëllait të tij Rhodri 280.000 euro për të mbyllur gojën dhe për të ndaluar publikimin e sekreteve të dhomës së tij të gjumit.

Në të njëjtin vit, "Daily Mirror" publikoi se Giggs u përpoq të joshte Lorraine Lever, nënën e kunatës së tij, Natasha. "Nuk mund ta besoj se çfarë po bën Ryan me jetën e tij. Ai është një grabitqar femrash, mund të ketë një varësi ndaj seksit pa e ditur këtë.

Problemi i tij është se nuk mund t’i mbajë pantallonat lart dhe ka nevojë për ndihmë", – tha një burim i konsultuar nga gazeta britanike. Kur u pyet nëse ai kishte goditur ndonjëherë Kate Greville, ish-anësori uellsian i Manchester United ishte i prerë: "Jo".

Kate Greville akuzoi Giggs se e goditi me kokë në fytyrë gjatë një debati. Arsyetimi i bërë nga ish-lojtari i Manchester United ishte ky: "E pranoj që gjatë kësaj përleshje koka ime u përplas me të sajën. Nuk jam i sigurt nëse ishte fytyra apo koka, por jam i sigurt se nuk ishte e qëllimshme".