Transmetuar më 18-08-2022, 00:56

Skandal që nuk ka të mbaruar në Britani. Qeveria u bleu kontraktorëve në SHBA gjak. Ai dhurohej nga të burgosurit që paguheshin dhe më pas tregtia vazhdonte duke ua shitur britanikëve që u infektuan në masë me sëmundje të rënda

LONDËR – Mijëra njerëz në Britani janë infektuar me HIV dhe hepatit C përmes transfuzioneve të gjakut të kontaminuar dhe do të marrin një pagesë kompensimi pas skandalit, njoftoi qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Pagesa prej afro që120 mijë euro për çdo viktimë është një pagesë e përkohshme pasi Brian Langstaff, kryetar i një hetimi publik për skandalin e gjatë, rekomandoi që të bëhen pagesa të menjëhershme përpara se të pritet për përfundimin e një hetimi të vazhdueshëm.

Qeveria tha të mërkurën se pagesat do të jenë pa taksa, për të mbijetuarit e skandalit dhe partnerët e humbur të mijëra njerëzve që vlerësohet të kenë vdekur nga gjaku i ndotur. Këto pagesa do të kryhen deri në fund të tetorit.

Mijëra njerëz me hemofili u prekën nga hepatiti C dhe HIV pasi morën transfuzion gjaku, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, përmes Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) në vitet 1970, 1980 dhe 1990.

Për shkak të mungesës së produkteve të gjakut në Britani, NHS bleu një sasi të madhe gjaku nga furnizuesit amerikanë.

Gjaku që vinte në Britani ishte dhuruar kryesisht nga të burgosurit dhe grupet e tjera në rrezik të lartë infeksioni. Të gjithë këta dhurues, ishin paguar për të dhënë gjakun e tyre që më pas shitej në Britani.

Rreth 2,400 pacientë vdiqën pasi u infektuan përmes sasive të kontaminuara të gjakut në vitet 1970 dhe 1980.

Kur hetimi publik të përfundojë vitin e ardhshëm, pritet të bëhen rekomandimet përfundimtare për kompensimin e një grupi më të gjerë njerëzish, përfshirë prindërit dhe fëmijët e viktimave. /noa.al