Transmetuar më 17-08-2022, 13:53

Sulmon Cristiano Ronaldo, përgjigjet Gary Neville. Ajo mes sulmuesit portugez dhe Manchester United është tashmë një luftë e vërtetë nervash.

Nisja katastrofike e kampionatit të “Djajve të Kuq” e ka përkeqësuar më tej situatën dhe ka rritur tensionin mes palëve, më pak se dy javë para përfundimit të merkatos verore, që mund ta largojë portugezin nga “Old Trafford”.

Pas kërkesës së 37-vjeçarit, edhe trajneri Erik Ten Hag është i hapur për largimin e sulmuesit, për të cilin megjithatë ofertat vazhdojnë të mungojnë. Zgjidhja e kontratës duket e vështirë dhe mbi të gjitha jo shumë e përshtatshme për të dyja palët.

Megjithatë, postimi “kërcënues” i publikuar nga CR7 në Instagram duket se hedh poshtë hipotezën e një lamtumire “in extremis” nga klubi ku u “shenjtërua” si futbollist i klasit botëror. Cristiano Ronaldo e ripërqafoi Manchester United 12 muaj më parë, pas lamtumirës së trazuar me Juventusin.

“Të vërtetën do ta dini pas nja dy javësh, kur të jap një intervistë. Mediat po gënjejnë”, – shkroi Ronaldo sot.  Kjo shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Gary Neville, një nga legjendat e Manchester United të Sir Alex Ferguson dhe rrjedhimisht ish-partner i Ronaldos, por edhe një prej më të mprehtëve në rrjetet sociale e më gjerë, mes komentuesve anglezë të futbollit.

Gary Neville i përgjigjet Ronaldos: "Pse lojtari më i madh i të gjitha kohërave (për mendimin tim) duhet të presë dy javë për t’iu thënë të vërtetën tifozëve të Manchester United? Çohuni tani dhe flit. Klubi është në krizë dhe ka nevojë për liderë për ta udhëhequr. Ai është i vetmi që mund ‘ta kapë demin prej brirësh’ në këtë situatë”.