Transmetuar më 17-08-2022, 11:26

Argjentina do të jetë pretendente e vërtetë në Kupën e Botës së Katarit, që do të zhvillohet më vonë, këtë vit, sepse ka ndaluar së trajtuari Lionel Messin si Jezu Krishti. Ky është konkluzioni i legjendës së futbollit Albiceleste, Gabriel Batistuta.

35-vjeçari, pjesë e PSG prej një viti, mbetet padyshim “ylli polar” i Argjentinës. Tek ai do të jenë sytë e një kombi, kur të nisë Botërori i Katarit në nëntor. Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” ka shënuar 86 gola në 162 paraqitje për kombëtaren e tij që nga debutimi më 2005.

Ai ishte heroi, vitin e kaluar, kur Albiceleste fitoi Kupën e Amerikës, por ky sukses ishte shumë larg normës për Messin me fanellën e Argjentinës. Ylli i PSG ka përjetuar shumë dhimbje, pasi ka qenë pjesë e skuadrës që përfundoi tri herë nënkampione e “Copa America” dhe humbi finalen e Kupës së Botës 2014 ndaj Gjermanisë.

Argentine Legend Gabriel Batistuta Annoyed that Messi Broke His National  Goal Scoring Record | 90min

Ish-sulmuesi legjendar, Batistuta ka folur në “La Nacion”: “Për një kohë të gjatë ia lamë përgjegjësinë totale Messit. Fillimisht dënuam veten duke menduar se kishim Jezu Krishtin, por ai është Messi. Një lojtar i madh, por Leo nuk është Jezu Krishti, ndaj nuk kemi pse kryqëzojmë vetëm atë. Kemi bërë dëme të tilla për një kohë të gjatë.

Tani kjo ka ndryshuar, sepse ai ndihet më i lirë me këta djem. Sigurisht, nëse e kam topin dhe mund t’ia jap Messit, ia jap atij. Nëse kam dy bashkëlojtarë të lirë, ia jap Messit po munda. Nëse ka një mur dhe ai është pas tij, duhet t’ia jap tjetrit. Epo, këtë e kuptojnë këta djem. Dhe të gjithë luajnë mirë. Nëse nuk mund t’ia japin topin Messit, do t’ia japin dikuj tjetër.

As Messi nuk është budalla. A e dini se si ndjeheni nëse të tjerët presin që ju të bëni gjithçka? Po sikur ta bëjmë të gjithë së bashku? Tingëllon ndryshe. Dhe ndjehet ndryshe. Shkoni dhe pyesni Messi nëse preferon të luajë në Barcelonën e Guardiolës, ku ndau gjithçka me lojtarë të mëdhenj, apo të luajë vetëm dhe të shënojë të gjithë golat. Prandaj, në këtë kombëtare duhet të shfrytëzohet personaliteti i të gjithë lojtarëve.

Focused and hungry Lionel Messi is on a mission to win the World Cup for  Argentina - Football España

Messi do të bëjë më shumë, sepse është një marsian i futbollit. Vetë nuk kam luajtur deri në moshën 40-vjeçare, sepse s’më lejuan kyçet e këmbëve, por e kuptoj mentalitetin e tij. Leo ka treguar se mund të vazhdojë, kështu që pse të ndalet. Ne të gjithë luajmë sepse kemi një qëllim, dhe qëllimi këtu është të jemi më të mirët në botë…, përgjithmonë.

Pikërisht ky qëllim e lëviz atë. Dhe Messi do të luajë derisa të mos i përgjigjet trupi. Nuk e shoh atë të largohet. Po, vjen një moment që fiziku nuk të lejon më të vazhdosh, por nëse është për shkak të mentalitetit, ai dhe Cristiano Ronaldo janë të ndryshëm. Aftësia e Messit nuk mund të krahasohet me askënd.

Cristiano i kaloi të gjithë të tjerët për shkak të mentalitetit të tij, për shkak të punës së madhe. Shumë luajnë si Cristiano, por ai ka egon e tij, ne të gjithë kemi një ego, ju keni egon tuaj, unë kam timen. Ai që nuk ka ego nuk bën asgjë. Diego Maradona kishte ego, edhe Pele gjithashtu. Ata janë djem që kanë bashkuar gjithçka: kushtet fizike, aftësinë, karakterin, ambicjen, egon dhe kanë spikatur”.