Transmetuar më 06-08-2022, 00:00

SHBA- Një vit para se të vdiste, Marilyn Monroe bëri dy përpjekje të fundit për të kontaktuar me të vetmin burrë që deshi gjithmonë, por kurrë nuk kishte arritur ta magjepste – babain e saj.

Në të dyja rastet, ajo u refuzua.

60 vjet më parë, Marilyn u gjet e vdekur në shtratin e saj, në moshën 36-vjeçare. Ajo kishte luftuar me varësinë nga droga, vetminë dhe depresionin, ndërsa përpiqej përgjithmonë të mbushte boshllëkun e lënë nga braktisja e babait të saj.

Tani mbesa nga babai i aktores beson se ajo mund të ishte shpëtuar vetëm nëse do të ishte pranuar nga babai i saj gjatë atyre udhëtimeve të shumta dhe gjithnjë e më të dëshpëruara, në Hemet, Kaliforni.

“Duke reflektuar për këtë, mendoj se jeta e saj do të kishte qenë më e mirë nëse gjyshi im do të kishte bërë gjënë e duhur. Ajo mund të kishte pasur një familje normale, të lumtur dhe mëbshtetjen për të cilën kishte nevojë.

E di që ajo kishte probleme, por ishte e kujdesshme dhe e dashur dhe gjithmonë kishte mall për babanë e saj. Ajo nuk ishte një bionde e vogël. Ajo kishte zgjuarsi të cilën e kishte trashëguar nga baba i saj, gjyshi im.

Jeta e saj mund të kishte dalë shumë ndryshe nëse ai do ta kishte mirëpritur.

Dhe kush e di, ajo mund të jetë ende me ne sot”, tha Francine, 76 vjeç.

Marilyn u gjet e vdekur në dhomën e gjumit të shtëpisë së saj në 12305 Fifth Helena Drive në Los Anxhelos në orët e para të 5 gushtit 1962.

Ajo ishte e zhveshur dhe ende mbante në dorë telefonin me të cilin kishte bërë telefonatën e fundit.

Një raport i mjekut më vonë zbuloi se ajo kishte vdekur si rezultat i një “vetëvrasjeje të mundshme” pasi kishte pësuar helmim akut.

Por zbulimi ka qenë gjithmonë i diskutueshëm me autorët dhe teoricienët e konspiracionit që pretendojnë se ajo u vra nga komunistët ose CIA pas aferave me Presidentin John F. Kennedy dhe vëllanë e tij politikan Bobby Kennedy.