Transmetuar më 04-08-2022, 13:03

TIRANË- Nuk është një moment i mirë për Partizanin. Pas eleminimit nga Kupat e Europës, te skuadra e kuqe kanë nisur pakënaqësitë e para. Egzon Belica duket se e ka pësuar i pari, teksa i është kërkuar ulje page nga drejtuesit e 16 herë kampionëve të Shqipërisë.

Siç raporton shtypi i shkruar kjo ka krijuar krisje mes palëve duke bërë që ai të mungojë prej 2 ditësh në stërvitje. Drejtuesit e Partizanit e kanë larguar nga faza përgatitore duke e thirrur në Tiranë për të negociuar. Por, duket se 31-vjeçari vështirë se do të heqë dorë nga kushtet për të cilat ka firmosur.

Nga ana tjetër dy lojtarët Sembene dhe Maget kërkojnë të largohen, por klubi ka refuzuar. Në shenjë proteste, dy lojtarët nuk janë paraqitur në stërvitje prej 10 ditësh, madje nuk kanë pranuar të udhëtojnë me ekipin në fazën përgatitore në Pogradec. Pas këtij hapi të tyre, klubi ka bërë goditjen e radhës, duke i gjobitur me nga 1500 euro gjobë.