Transmetuar më 09-07-2022, 18:09

Spanjë- Gara me dema kthehet në një batërdi në Spanjë. Shtatë njerëz janë plagosur sot dhe qindra të tjerë kanë shpëtuar ‘për një fije’ pa u shpuar nga brirët e demave, në ditën e tretë të festivalit të çmendur të adrenalinës në rrugët e Pamplonas ne Spanje.

Festivali i San Fermin është një nga eventet më të dhunshme e më emocionuese për pjesëmarrësit që vrapojnë në rrugët e kalldrëmta para, prapa dhe madje anash demave të çliruar, duke i sfiduar e provokuar.

Një total prej shtatë meshkujsh u plagosën në vrapimin e sotëm, gjashtë spanjollë e një francez, të cilët u dërguan në spital por asnjë prej tyre nuk është në rrezik për jetën.

Por episodet e rrezikshme ishin me dhjetra. Dhjetra vrapues u shkelën, përplasën nga gjashtë demat e lëshuar në rrugët e ngushta me kthesa të qytetit të vjetër të Pamplona.