Transmetuar më 06-07-2022, 11:20

Christian Eriksen është afër nënshkrimit të një kontrate 3-vjeçare me Manchester United, pasi ka luajtur gjashtë muajt e fundit me Brentford, gjithashtu në Premier League.

Rikthimi “në jetë” i yllit danez, pas frikës së madhe të “Euro 2020”, u prit nga e gjithë bota e futbollit me entuziazëm, gëzim dhe lumturi, duke ndarë këtë moment të bukur, pas kaq shumë frike.

Megjithatë, jo të gjithëve iu pëlqen drejtimi që po merr karriera e ish-lojtarit të Interit. Një tifoz i Tottenham, në fakt, i zhgënjyer nga transferimi i radhës i Eriksen në “Old Trafford”, bëri një gjest vërtet të keq, i cili më pas u bë “viral”, por që përfundoi duke i shkaktuar atij më shumë dëm se çdokujt tjetër.

Tabloidi britanik “The Sun” publikoi një video të shkurtër, në të cilën shihet tifozi i Tottenhamit duke tentuar t’i vërë flakën fanellës me numër 23 të Christian Eriksen, kur ai luante me “Spurs”.

Kujtojmë se Eriksen kaloi shtatë vite të mira te Tottenham, pas mbërritjes aty nga Ajax. Danezi u bë strumbullari i një skuadre spektakolare për një kohë të gjatë, së bashku me Kane dhe Son, të cilët ende luajnë në “New White Hart Lane”.

Më pas ky tifoz e postoi videon në Twitter, duke menduar të bëhet idhulli i fansave londinezë. Përkundrazi, kundër pritshmërive të tij, ky gjest patetik u bë edhe më patetik kur komentet filluan të vinin. Disa komente ishin miratues, të tjerët urrejtës, por shumica e dënonin gjestin.

Njëri u përgjigj: "Kam parë disa gjëra të neveritshme në këtë aplikacion, por kjo është më e keqja". Një tjetër ndjekës shkroi: "Fjala ime për ty është kot!" Një tjetër vijoi: "Është e turpshme!!! Ai dogji një fanellë për të marrë pëlqime në Twitter!" Shumë të tjerë e quajtën atë veprim të turpshëm.

Nëse marrëveshja me Manchester United do të konfirmohet përfundimisht dhe Eriksen do të bëhet vërtet lojtar i “Djajve të Kuq”, do të ishte padyshim sensacionale duke marrë parasysh se si ishte vetëm një vit më parë, pas një arresti të tmerrshëm kardiak në fushë, kundër Finlandës, në “Euro 2020”.

Pas atij episodi? Frika se mos duhet të ndalonte së luajturi, implantimi i një defibrilatori nënlëkuror që e pengoi atë të vazhdonte të luante me Interin dhe rilindja me Frank.

Trajneri Frank u bë shpëtimtari i Eriksenit, sepse i ofroi atij një kontratë në janar për të luajtur gjashtë muaj me Brentford. Një gol dhe katër asiste në 11 paraqitje të Premier League nga janari në maj, më pas thirrja e re në kombëtare, dhe tani Manchester United. Një vit i çmendur për Eriksen, ulje-ngritje, gëzime dhe hidhërime, që sigurisht nuk do të ndikohen nga gjesti budalla i një fansi.