Transmetuar më 05-07-2022, 13:13

Partia Demokratike ka kërkuar sot publikisht dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Pas zbulimit të skandaleve të shumta të inceratorëve, por jo vetëm, të zbulimit të falsifikimeve me 90-vjeçarë, sikur gjoja ata kanë kompani dhe kanë kryer punime në ndërtimin e inceratorëve, duket se kupa është mbushur. Deputeti demokrat, Belind Këlliçi ka akuzuar kreun e ekzekutivit se po vjedh dhe shkreton këtë vend:

"Haxhire Gurakuqi është një shqiptare e moshuar që jeton në azil. Ajo priste që Edi Rama dhe Arben Ahmetaj t’i ndërtonin shtëpinë e shembur nga tërmeti. Për mafian e inceneratorëve nuk dinte gjë, sepse nuk i ndiqte lajmet.

Deri ditën kur mafia mbërriti edhe në azilin e saj, dhe zonja Gurakuqi u bë vetë lajmi. Dy prokurorë ‘fake’ shkojnë dhe i marrin firmën për ‘t’i zhbllokuar’ lekët e pensionit. Letrat e firmosura prej saj janë, në fakt, leja që ata të përdorin llogarinë bankare të së moshuarës dhe të qarkullojnë 30 milionë eurot e inceneratorëve të ‘biznesmenëve fake’ Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja.

‘Fake’ sepse, pas tyre janë Gjiknuri, Ahmetaj, Veliaj dhe Rama. Partia Demokratike përçmon me neveri mashtrimin e një të moshuare, të braktisur në azil nga inkompetenca e pushtetit, dhe dënon me forcë vjedhjen e radhës në serialin “Mafia e inceneratorëve".

Ne i bëjmë thirrje SPAK-ut të hetojë kokën e aferës qindra milionë euroshe dhe të mos merret më me bishtat. Deklarata e këtij institucioni, pas skandalit të fundit, se po ndjek paratë, kur hetimet kanë filluar prej 1 viti, nuk është serioze. Nën dritën e fakteve të reja, skandalit të radhës dhe traditës në hajdutëri të kësaj qeverie, Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës.

Partia Demokratike i bën thirrje të gjithëve, të djathtë e të majtë, të ngrihen në mbrojtje të dinjiteti të tyre dhe të Shqipërisë. Duhet menjëherë ndalur marshimi mbi shpinat e shqiptarëve i bandës në pushtet.

Pasi çon 500 mijë shqiptarë në azilet e botës në 9 vjet qeverisje, ordinerët e tij u shkojnë atyre që kanë mbetur, deri në azilet e pleqve, dhe u marrin kacidhet e shpenzimeve funerale. Ju rikujtojmë shprehjen famëkeqe “Nuk keni parë asgjë, akoma!” Pas Haxhire Gurakuqit nuk ka mbetur më asgjë për të parë. Hiq dorëheqjen e Edi Ramës dhe fundin e qeverisë më të korruptuar në historinë e Europës.

Ndaj, të nderuar qytetarë: Bashkohuni me shoqërinë civile dhe Partinë Demokratike më 7 korrik! Për një Shqipëri në rrezik. Për një Shqipëri që kalon nga duart e hajdutëve në të shqiptarëve".