Transmetuar më 04-07-2022, 21:11

ADN-ja zbulon përfundimisht të vërtetën se kujt i përket trupi i dekompozuar që u gjet në Malin e Gramozit në vendin e quajtur ‘Hau i Kreshoves’.

Ai është i Sherif Mukaj 29-vjeç nga fshati Starje, i zhdukur prej 1 nëntorit.

Pavarësisht se nga policia pritej edhe një rikonfirmim me anë të ADN-së, në vendngjarje u gjeten mjaftueshëm prova që i përkisnin këtij shtetasi.

Sipas policisë nga këqyrja e skeletit në pjesën e kafkës është konstatuar një vrimë tejshpuese që dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga përdorimi i armës së zjarrit ndërkohë që në cilësinë e provës materiale në pyll bashkë me kufomën u gjetën dhe u sekuestruan një xhup, brenda të cilit kishte një aparat celular dhe një palë çelësa shtëpie që korrespondonin pikërisht me derën e shtëpisë se Mukajt.

Tashmë për policinë nuk ka më dyshime që trupi është i 29 vjeçarit Sherif Mukaj, ndërsa familjarët kanë tërhequr dhe kanë varrosur mbetjet kockore.

Vrasja deri tani mbetet e pazbuluar nga policia ndërsa pista kryesore ku po hetohet është për pazaret e drogës.