Transmetuar më 05-07-2022, 07:12

Kristjan Asllani u bë shqiptari i dytë në histori, pas Rey Manajt, që vesh fanellën e Interit. Në fakt, 20-vjeçari kuqezi ka fiormosur me zikaltrit, por nuk ka debutuar ende. Gjithsesi, kontrata 5-vjeçare dëshmon se ka shumë potencial dhe Marotta e shikon si të ardhmen e mesfushës së Interit. Potencialit dhe vlerave të shqiptarit vijojnë t’i bëjnë jehonë mediat italiane.

Njëra prej tyre, prestigjiozja “Gazzetta dello Sport” e ka “hetuar” Asllanin nga mosha 5-vjeçare, kur nisi hapat e parë në futboll dhe tregoi talentin në këtë sport. Ka qenë trajneri i tij i asaj kohe, ai që ka garantuar zikaltrit se kanë bërë një goditje të madhe, madje ende nuk e dinë se çfarë xhevahiri kanë tashmë në duar. Ja shkrimi i plotë i “Gazzetta dello Sport” për 20-vjeçarin shqiptar, tashmë pjesë e Interit:

"Kristjan, çfarë po bën me atë fanellë? E dija që je tifoz i Interit!" Asllani te zikaltrit është një cikël që po mbyllet. Një kapitull që filloi në fushat e provincës së Pisa dhe përfundoi 15 vite më vonë, në ditën e kthimit të Lukakut. Në debutimin e tij me Butese, skuadrën e vendit të tij, ai shënoi një eurogol pas pak minutash.

"Në moshën 5-vjeçare i driblonte kundërshtarët e tij sikur të ishin birila. Fanella jonë ishte shumë e gjerë për të, sepse ishte shumë më i shkurtër se moshatarët e tij", – kujton ish-trajneri i kohës. Një klasik i futbollit provincial, 20 uniforma të barabarta me njëra-tjetrën, pa dallim përmasash dhe masash.

INTER DHE KAKÀ – Cristiano Filippi e ka trajnuar Kristjan Asllanin para kujtdo, prandaj mund të flasë për shenja të veçanta si futbollist nga ajo kohë. Mik i familjes së Asllanit, i njohur më shumë si Watson për ata që frekuentojnë kodrat e Pisanit. Mbi të gjitha, një tifoz i zjarrtë i Milanit: "Unë kam shkuar në ‘San Siro’ për 45 vite, atje kam parë kuqezinjtë. E kam filluar këtë rit më 1978 dhe nuk jam ndalur qysh atëherë".

Një detaj pa lidhje për të gjithë, përveç Kristjanit: "Ai ishte fëmija klasik që flinte me topin. Ishte e qartë qysh në ato ditë se do të bënte rrugën e tij në futboll. Natyra i dha këmbët, por ai shtoi përkushtimin dhe vendosmërinë".

Aq sa shqiptari u shfaq në fushë me 22-shin e Kaka. “Kristjan, por ti je tifoz me Interin”, – e pyet Watson. “Kisha frikë të përfundoja në pankinë, ndaj e bleva këtë për t’ju ​​kënaqur juve”, – iu përgjigj shqiptari trupvogël. Jo se kishte nevojë; Asllani ka qenë gjithmonë më i mirë se të tjerët, vendin në ekip e kishte të garantuar.

APROVON LUKAKU – Edhe para se ta takojë në Pinetina, mesfushori shqiptar i bëri përshtypje Romelu Lukakut, me të cilin u kryqëzua në zyrat e Interit në momentin e nënshkrimit. “Më pëlqen djali, ka mentalitet fitues. Ai ka lindur në vitin 2002, por flet si veteran”.

Bekimi i “Big Rom” është një kartëvizitë mjaft e mirë. Watson buzëqesh dhe shton dozën: “Marotta dhe Zhang nuk e dinë ende se çfarë kanë në duar. Në vitet e para të gjimnazit, bashkëmoshatarët e Asllanit takoheshin në sheshin e Butit për të kaluar mbrëmjet pas darkës me prindërit e tij: Kristjani nuk u pa kurrë, flinte herët pas futbollit dhe ditëve të shkollës. Këto detaje janë thelbësore".

Pak si besimi i Watson, i cili e bindi shqiptarin të vishej si Kakà. 15 vite më vonë ai korri frytet e punës, sepse Interi e vuri re dhe u fokusua tek Asllani. Gjërat janë të qarta, nuk ka më nevojë për të gënjyer. Asllani është zikaltër, i kompletuar me kontratë 5-vjeçare".