Transmetuar më 04-07-2022, 13:55

Pasi përdori “levën” e parë të daljes nga kriza e thellë ekonomike dhe u përshtat me “fair play”-in e famshëm financiar, Barça ka zyrtarizuar atë që ishte një sekret i hapur. Franck Kessié është tani lojtar i ri i ekipit katalanas.

Mesfushori nga Bregu i Fildishtë, i cili priste të konfirmonte nënshkrimin e tij, do të mbështesë mesfushën blaugrana me fizikun dhe përvojën e krijuar te Milani, prej nga u largua si kampion i Italisë.

Inkorporimi i tij tashmë ishte marrë si i mirëqenë prej disa javësh, por nuk ishte zyrtarizuar deri më sot. Kessié, i cili vjen falas, ka nënshkruar deri në qershor 2026 dhe do të ketë një klauzolë lirimi prej 500 milionë euro.

Mesfushori i fuqishëm vjen nga disa sezone të shkëlqyera në Serie A me Milanin. Ai ka qenë pikë kyçe në skuadrën kuqezi për të fituar titullin e sezonit të kaluar. Ai ka ende një rrugë të gjatë përpara si futbollist, sepse është vetëm 25 vjeç.

Kessie mbërrin në “Camp Nou” si lojtar i lirë, pas përfundimit të kontratës me klubin lombard. Ai konsiderohet një profil krejtësisht i ndryshëm nga pjesa tjetër e mesfushorëve të Barçës.