Transmetuar më 04-07-2022, 12:39

Bayern Munich nuk po i bën të lehta për Barcelonën, në asnjë kuptim, negociatat për nënshkrimin e Robert Lewandowskit. Skuadra bavareze jo vetëm kërkon pagesën e të paktën 50 milionë eurove për golashënuesin polak, por vazhdon të dërgojë mesazhe në kundërshtim me largimin e tij.

I fundit që "shtrëngoi litarin" ishte Uli Hoeness. Presidenti i nderit i Bayernit i është referuar propozimit të fundit katalanas: "Unë nuk di asgjë për një ofertë të re. Por sikurse janë gjërat në Mynih, ajo që kam dëgjuar është se Barcelona duhet ta kursejë përpjekjen për të bërë një ofertë tjetër".

Hoeness ka këmbëngulur se Lewandowski ka ende kontratë me klubin bavarez dhe qëllimi është që ta respektojë marrëveshjen: "Unë nuk i marr vendimet, por deklaratat e Bayernit ishin të qarta.

Ata thonë se Robert duhet të përmbushë kontratën e tij në Mynih. Nuk e imagjinoj se ka një shumë parash që do t’i bëjë ata të ndryshojnë mendje”.

Pavarësisht qëndrimit publik të Bayern Munich, lojtari tashmë ka vendosur që sezonin e ardhshëm të luajë në "Camp Nou". Këtë vendim ua ka bërë të ditur drejtuesve të klubit bavarez, me të cilët ka folur në disa raste gjatë javëve të fundit.

Edhe Barcelona ka besim në finalizimin e kontratës me polakun dhe i konsideron të gjitha këto deklarata pjesë të negociatave, të cilat dihej se nuk do të ishin të lehta.