Transmetuar më 03-07-2022, 15:56

Chongqing e Chengdu, 20.000 udhëtime me tren mallrash Kinë-Evropë

Dy trena të ngarkuar me mallra u nisën të enjten nga komuna Chongqing e Kinës jugperëndimore dhe Chengdu, kryeqendra e provincës fqinje Sichuan, për në Duisburg të Gjermanisë dhe Lodz të Polonisë, përcjell “Xinhua”.

Numri i trenave të mallrave Kinë-Evropë të trajtuar nga dy qytetet rezulton të jetë mbi 20.000, që kur Chongqing dhe Chengdu nisën shërbimin përkatësisht në mars 2011 dhe prill 2013, sipas autoriteteve lokale.

Më shumë se 1000 lloje mallrash, duke përfshirë elektronikë, makineri, automobila, pjesë auto, si dhe ilaçe dhe instrumente mjekësore, janë transportuar përmes këtij itinerari hekurudhor.

Vetëm në vitin 2021, Chongqing dhe Chengdu trajtuan mbi 4800 trena mallrash Kinë-Evropë, që përbënin 30 për qind të totalit kombëtar, me mallra të transportuara me vlerë mbi 200 miliardë juanë (rreth 29.8 miliardë dollarë amerikanë).

Chongqing dhe Chengdu janë ndër qytetet më të hershme në Kinë që kanë filluar shërbimin e trenave të mallrave Kinë-Evropë.

Në kuadër të ndërtimit të rrethit ekonomik Chengdu-Chongqing, të dy qytetet kanë bashkëpunuar që nga viti 2021 për të përmirësuar shërbimin.

Rrethi ekonomik Chengdu-Chongqing është një tjetër strategji e rëndësishme e zhvillimit rajonal, duke ndjekur rajonin Pekin-Tianjin-Hebei, deltën e lumit Yangtze dhe Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong-Hong Kong-Makao.