Transmetuar më 28-06-2022, 08:26

Dje, Ministri i Mbrojtjes së Boratit bëri dy deklarata skandaloze. Së pari, kur u akuzua se përse asnjë helikopter nuk është në gatishmëri për të fikur zjarret në pyje, ai deklaroi me papërgjegjshmëri se qeveria e vet e hajdutëve dhe të paaftëve nuk është në gjendje të lidhë kontrata mirëmbajtjeje për helikopterët dhe se pjesa më e madhe e tyre janë për momentin jo funksionalë!

Madje edhe helikopterët e shtrenjtë Cougar, sipas ministrit, nuk janë mirëmbajtur dhe janë të paaftë të fluturojnë. Për të justifikuar dështimin e vet, ministri i Boratit u kërkoi deputetëve të mos mbivlerësonin rolin e helikopterëve në fikjen e zjarreve!!!

Së dyti, kur u pyet se përse qeveria e vet e falimentuar nuk ble një avion të specializuar për fikjen e zjarreve në pyje, ai u përgjigj se një avion i tillë kushton 50 milionë euro dhe se nuk mund të blihet për të shuar zjarret që janë problem "vetëm një muaj në vit".

Kjo deklaratë ka brenda një gënjeshtër të lehtë për t’u zbuluar dhe një tjetër që kërkon pak më shumë hulumtim. Gënjeshtra e vogël ka të bëjë me "muajin e vetëm problematik". Me çrregullimet e motit dhe të klimës, problemi i zjarreve nis në prill dhe përfundon në tetor.

Madje ka patur zjarre në pyje edhe gjatë muajve të dimrit. Puna për një avion të tillë do të ishte gjithë-vjetore. Gënjeshtra e madhe ka të bëjë me paaftësinë e ministrit dhe të elifimatrakëve të tjerë në qeverinë e Boratit për të kuptuar dhe përllogaritur vlerën e pyllit.

Duke iu referuar vetëm disa prej roleve të pyllit, si p.sh.roli në moderimin e motit, parandalimin e erozionit, ruajtjen e jetës së egër dhe reduktimin e ndotjes, vlera e një peme të vetme përgjatë 50 vitesh është llogaritur në mbi 50 mijë euro.

Sigurisht që kjo vlerë është llogaritur në ato vende ku pyjet i vlerësojnë dhe i mbrojnë, por edhe Shqipëria ka avokatë dhe specialistë mjedisorë që janë të aftë t’i bëjnë këto përllogaritje në kushtet e Shqipërisë. Jam i bindur se edhe në Shqipëri, vlera e kontributit të një peme është disa mijë, për të mos thënë, disa dhjetëra mijë euro.

Në këto kushte, një ekspert do t’i thoshte ministrit të Boratit se çmimi i një avioni për fikjen e zjarreve në pyje justifikohet edhe sikur të shuajë pak hektarë pyll dhe jo më ato mijëra hektarë që digjen çdo vit në Shqipëri.

Sigurisht që asnjë shqiptar nuk pret aftësi nga ministrat e Boratit. Ata nuk janë në postet e tyre për të drejtuar sektorët strategjikë të jetës së vendit, por për të bërë dallavere, tendera dhe PPP. Ministrat as vetë nuk e kanë të qartë se çfarë kompetencash kanë dhe me se duhet të merren.

Mbaj mend se gjatë pandemisë së COVID-it, Ministrja e Financave dilte dhe argumentonte se përse nuk kishte nevojë që qeveria të blinte teste, kurse në një diskutim televiziv pata përballë në debat Ministrin e Mjedisit që fliste me më shumë "kompetencë" se specialistët mbi sukseset e qeverisë së vet që sapo ishte propaganduar 50 herë më e aftë se Italia!!!

Shqiptarët e sotëm e kanë të kotë kur përpiqen të gjejnë zotësi në këtë qeveri barbarësh. Më kollaj e kishin baballarët tanë të gjenin zotësi në byronë e dikurshme politike. Ajo që duhet që bëjë çdo shqiptar me mend është përpjekja me çdo mjet demokratik për të shkurtuar ditët e kësaj qeverie demagoge, mashtruese, të paaftë dhe hajdute. Të tjerat janë pa vlerë…