Transmetuar më 27-06-2022, 08:54

Evis Kushi e kënaqur me rezultatet e Biologjisë: Kemi garantuar vlerësim të drejtë bazuar në meritokraci

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, pas provimit të fundit të maturës, e nxitur nga shqetësimet e maturantëve në lidhje me testin e biologjisë, ka kërkuar të ushtrohet kontroll dhe sot tha se rezultoi që çdo gjë të ishte në rregull.

Ministrja tha se pas vlerësimit të bërë, është konfirmuar që testi nuk ka asnjë gabim shkencor dhe pyetjet janë hartuar sipas niveleve të vështirësisë për të diferencuar secilën notë.

"Ju konfirmoj që testi nuk ka asnjë gabim shkencor dhe pyetjet janë hartuar sipas niveleve të vështirësisë, për të diferencuar secilën notë, e për të mos penalizuar as nxënësit e shkëlqyer, por për të vlerësuar të gjithë sipas punës e meritës", thotë Ministrja.

Znj. Kushi shprehet se shumë prej maturantëve kanë shkëlqyer, madje përtej pritshmërive, duke vërtetuar që testi ka qenë një matës i mirë i përgatitjes së gjithsecilit.

Tashmë rezultatet janë të publikuara në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe secili prej jush mund të gjejë vlerësimin e testit të tij këtu. /noa.al