Transmetuar më 26-06-2022, 22:47

Një emigrant iranian është identifikuar si personi i armatosur që hapi zjarr në një bar homoseksualësh në Oslo herët të shtunën, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur të paktën 21 të tjerë.

Zaniar Matapur, 42 vjeç, hidraulik, u shpërngul në Norvegji me familjen e tij nga një rajon kurd në Iran kur ishte në moshën 12-vjeçare.

Matapur dyshohet se hapi zjarr në tre lokacione të ndryshme brenda dhe përreth Pub London pas orës 1 të mëngjesit të së shtunës, vetëm disa orë para se në qytet të mbahej një paradë Pride e cila u anulua.

Shefi i Shërbimit të Sigurisë Policore Norvegjeze, Roger Berg, e quajti sulmin "një akt terrorist ekstrem islamik".

Policët norvegjezë thanë se Matapour gjithashtu sulmoi njerëzit edhe jashtë klubit të xhazit Herr Nilsen dhe ata pranë një restoranti të ushqimit të shpejtë.

Ai u arrestua brenda pesë minutave nga tërbimi që mori dy jetë njerëzish dhe ka të plagosur 21 të tjerë me plumba armësh zjarri. Dy armë, duke përfshirë një plotësisht automatike, u morën nga vendi i krimit.

Dy burra, njëri në të 50-at dhe një tjetër në të 60-at, u vranë, tha policia. Dhjetë persona u trajtuan për plagë të rënda, por asnjëri nuk besohet të jetë në gjendje kritike, raporton noa.al duke cituar AP. Njëmbëdhjetë persona të tjerë kanë marrë plagë më të lehta.

Një zëdhënës i policisë tha se Matapur ka një "histori të gjatë dhune dhe kërcënimesh", si dhe "vështirësi me shëndetin e tij mendor". Ai i tha mediave lokale në Oslo se Matapour kishte qenë në radarin e inteligjencës së policisë që në vitin 2015, por vetëm një muaj më parë u konsiderua jo më një kërcënim. Ai ishte përdorues droge.

Avokati mbrojtës i Matapur, John Christian Elden, i tha AP se klienti i tij nuk kishte folur ende me policët dhe paralajmëroi kundër spekulimeve mbi motivin e tij.

"Ai nuk ka dhënë asnjë arsye," tha Elden. “Është shumë herët për të arritur në përfundimin nëse ky është krim urrejtjeje apo terrorizëm”. /noa.al

Fotot: AP, Getty, EPA