Transmetuar më 26-06-2022, 15:24

Gjermani- Plas gallata mes lidërve të  G7-s. Ata u tallën me Presidentin rus Vladimir Putin të dielën teksa u ulën për të ngrënë drekë, duke bërë shaka me foton e tij të famshme ku qëndron si një gangster i vërtetë, hipur mbi kalë dhe pa bluzë veshur.

Batuta e tyre epike erdhi teksa Presidenti Joe Biden po punon për të mbajtur aleancën perëndimore në shina, ndërsa lufta në Ukrainë hyri në muajin e pestë dhe Rusia hodhi bomba në Kiev për herë të parë në 3 javë.

“Xhaketa? Xhaketat jashtë? Të heqim rrobat?”, tha kryeministri britanik Boris Johnson teksa u ul në tryezë me kolegët e tij udhëheqës të ekonomive më të mëdha në botë.

“Le të presim për foton”, tha kryeministri kanadez Justin Trudeau.

Zyrtarët po përpiqeshin të bënin një foto zyrtare të drekës me liderët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

“Ne duhet të tregojmë se jemi më të ashpër se Putini”, tha Johnson.

Trudeau më pas shtoi: “Ne do të pushtojmë ekranet me kalërimin me gjoksin zhveshur”.

Ai i referohet një fotoje të vitit 2009, ku Putini pa këmishë dhe hipur në një kalë pushonte në malet e rajonit siberian Tyva.

Më pas, Johnson mund të dëgjohet duke thënë: “Duhet t’u tregojmë atyre look-un tonë”.

“Kalërimi është më i miri”, ia pret presidentja e Bashkimit Evropian Ursula von der Leyen.

Presidenti Biden ishte në drekë, por nuk u duk se mori pjesë në lojën e fjalëve me shaka të homologëve të tij.

Megjithatë, më herët Biden e kritikoi sulmin rus ndaj Kievit si ‘barbarizëm’.

“Është më shumë barbaria e tyre”, tha ai gjatë ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes për liderët e G7 në Schloss Elmau.