Transmetuar më 26-06-2022, 12:10

Të paktën 23 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të lënduar ndërsa qindra emigrantë u përpoqën që të kalonin nga Maroku në Spanjë. Pamjet dhe dëshmitë nga vendi i ngjarjes janë tronditëse. Dhjetëra të plagosur shihen thuajse mbi njëri-tjetrin në tokë, shumë kanë gjakderdhje, të tjerët janë të rëndë, disa nuk japin shenja jete.

Midis tyre qëndrojnë oficerët e policisë marokene. Organizatat humanitare në Marok kanë bërë të ditur se të plagosurit kanë qëndruar për orë të tëra pa ndihmë mjekësore duke bëre që shumë prej tyre të ndërrojnë edhe jetë.

Autoritetet marokene thonë se emigrantët u përpoqën të kalonin gardhin dhe të shkonin në Melilla. Por situata doli nga kontrolli dhe shumë u shtypën, ndërsa të tjerët ranë duke u ngjitur në gardhin , i cili ruhet rreptësisht.

Megjithatë, nuk mungojnë kritikat për dhunën e tepruar . Videot tregojnë rojet marokene duke tërhequr me forcë të plagosur ose goditur njerëz.