Transmetuar më 24-06-2022, 13:57

Lamtumira e një lojtari të rëndësishëm nga futbolli është gjithmonë një goditje e keqe, veçanërisht nëse vjen kur kampioni në fjalë mund ta thotë ende fjalën e tij në fushë. Zinedine Zidane "i vari këpucët në gozhdë" në vitin 2006, vetëm 34 vjeç.

Edhe francezi rrezikoi të largohej si fitues, po të mos ishte finalja e Botërorit gjerman. Prandaj, imazhi i fundit i "Zizou" në një fushë futbolli është goditja me kokë ndaj Materazzi dhe dalja e pangushëlluar nga fusha me një vështrim kalimtar drejt Kupës së Botës.

Por Cicinho zbulon se ekzistonte një mundësi reale që kjo të mos ishte vërtet lamtumira e futbollit për "Topin e Artë" të vitit 1998. Braziliani ka treguar për ESPN një anekdotë lidhur me ndeshjen e lamtumirës së Zidane.

Një moment shumë prekës, me francezin që përshëndeti Real Madridin pasi e çoi drejt fitimit të Champions League me një nga golat më të mirë në historinë e kompeticionit. "Zizou" do të bënte më pas historinë me "Los Blancos" si trajner, por në atë kohë askush nuk mund ta dinte.

Dhe humbja e një lojtari kaq të rëndësishëm ishte një goditje e madhe: "Në ndeshjen e tij të fundit me Realin, Zidane ishte shumë i prekur, edhe ne gjithashtu. E dinim që një legjendë e futbollit po largohej. Florentino Perez hyri në dhomën e zhveshjes për të përshëndetur lojtarët një nga një. Dhe ajo që ndodhi më pas ishte e paharrueshme…"

Ndodhi në fakt që Robinho t’i bënte një shaka Perezit, duke i thënë: ‘President, Zizou tha që nëse i lidh një kontratë 6.5 milionë euro për dy vite, ai nuk do të ndalojë së luajturi’. Kjo shumë ishte sa rroga më e lartë e gjithë skuadrës në atë moment.

Të gjithë qeshëm, por Florentino u bë menjëherë serioz dhe tha: Nëse Zizou dëshiron, do ta sjell kontratën menjëherë dhe do ta nënshkruajmë këtu. Zidane mendoi për një moment, pastaj shikoi dhe u përgjigj: Jo, jo, nuk dua të luaj më".

Dhe në fakt ai përfundoi në stolin e bardhë, qoftë edhe shumë vite më vonë. Në fund të fundit, Perez gjithmonë ka thënë: "Ai është një trajner në fushë, tashmë luan me tuta". Në fakt, ai nuk e dinte se sa të drejtë kishte…