Transmetuar më 24-06-2022, 13:24

Itali- Policia italiane ka ndaluar dy minorenë, njëri 14 dhe tjetri 15-vjeç, pasi kanë kërcënuar një bashkëmoshatar që nuk kishte paguar paratë për drogën që kishte blerë.

Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur Brianza, pak kilometra larg zonës Mariano Comense.

Dy vëllezërit kanë kërcënuar 14-vjeçarin që të shlyente borxhin e drogës që kishte blerë për përdorim personal pasi borxhi kishte shkuar në mbi 150 euro. Ata i shkruanin mesazhe kërcënuese vazhdimisht të miturit deri sa një ditë ai vendosi t’i tregonte mamasë së tij se si ishte puna.

Por sërish dy vëllezërit vazhduan t’i dërgojnë mesazhe kërcënuese edhe mamasë së 14-vjeçarit dhe një ditë i thanë: Na jep paratë, përndryshe do të të vrasim djalin!

Kaq u desh që mamaja të njoftonte policinë dhe së bashku organizuan një takim për të shlyer borxhin e pretenduar të djalit të saj.

Gjatë këtij takimi dy vëllezërit erdhën të armatosur me thika të palosshme, të fshehura në çantë dhe që u sekuestruan nga policia gjatë kontrollit. Njërit prej tyre iu gjetën edhe 16 doza hashash si dhe paratë e marra nga gruaja.

Dy vëllezërit u arrestuan për akuzën e zhvatjes së rëndë, trafikut të drogës dhe mbajtjes së pajustifikuar të thikave.