Transmetuar më 24-06-2022, 12:00

Sali Berisha doli në një konferencë për shtyp, nga ku denoncoi sjelljen e kryeministrit shqiptar dje në Bruksel. Ai iu kërkoi falje bullgarëve për gjuhën e përdorur nga Edi Rama ndaj tyre, duke i siguruar se nuk përfaqëson qasjen e shqiptarëve ndaj vendit të tyre. Po ashtu, foli për varësinë patologjikë që po tregon Rama karshi Serbisë dhe Vucicit.

Njëherazi iu përgjigj interesimit të gazetarëve për protestën e 7 korrikut, çfarë qëllimi ka ajo dhe nëse pret që t’i bashkohen edhe deputetët e PD që nuk janë atashuar deri më tani me “Foltoren” dhe Partinë Demokratike të rikthemeluar, e cila ka atë për kryetar tashmë:

“Do ta quaja një skandal shumë të rëndë sulmin ndaj një vendi mik, Bullgarisë. Dua t’u them shqiptarëve që në mënyrë absolute në 32 vitet e fundit, ky vend ka të regjistruar në marrëdhëniet bilaterale me qindra e qindra akte dhe vendime miqësore me vendin tonë.

 Turpi të mbulojë Edi Ramën, që i jep një vendi mik në publik turpin si një ordiner. Bullgaria është një vend mik dhe çdo kryeministër e president i këtij vendi ka gjetur në atë komb vetëm miq. Bullgaria u bashkua me NATO në betejën kundër Serbisë në Kosovë. Ajo ka qenë një avokate e Shqipërisë për aq sa ka pasur zërin e saj.

Tani del ky vasal i Vuçiçit dhe i jep turpin këtij vendi. Në emër të opozitës shqiptare i kërkoj ndjesë popullit bullgar dhe qeverisë së tij. I garantoj se nuk është ky vendimi i shqiptarëve, por është vendimi i një aventurieri, një njeriu që nuk njeh asnjë parim. Që nuk di se çfarë është miqësia mes vendeve.

Bullgaria është një vend sllav, por të mos harrojmë se kemi pasur një degë të rilindjes atje, shumë të fuqishme. Nuk mund të ketë kurrë një arsye që kryeministri i vendit t’iu tregojë turpin bullgarëve, përveçse një njeri që turpëron çdo shqiptar me qëndrimet e tij.

Dënoj fyerjen që ai i bëri Bullgarisë. Bullgaria është një mik i çmuar dhe ka dëshmuar veten që nga përmbysja e Shirkov deri më sot. Po kaq, ai ka fyer edhe vendet e BE që i ka konsideruar si të marra peng nga Bullgaria. Në fund të fundit, po ta zhveshësh, nuk del gjë tjetër veçse një Spartak Ngjelë më i rrjedhur se ai.

Le t’ia japim më 7 korrik përgjigjen më të merituar Ballkanit të Hapur apo Ballkanit të Putinit. Të dëshmojmë bashkërisht besnikërinë tonë ndaj orientimit perëndimor. Të dëshmojmë se për shqiptarët, anëtarësimi në BE është ëndrra më e bukur, e ardhmja më e shkëlqyer për ta.

Protesta duhet të jetë e atillë që nuk duhet të ndalet gjer në realizimin e qëllimit. Se cila do jetë kjo protestë, do ta përcaktojë vetë protesta. Mos harroni një gjë, një parim ky është një front. Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë.

Në një lëvizje, suksesi përcaktohet kur pranon që njëherë udhëheq ti, njëherë të udhëheqin. Vetëm në këtë mënyrë arrihet te suksesi. Unë jam i gatshëm që të udhëheq dhe të më udhëheqin. Deputetët e PD janë të ftuar të rreshtohen me shumicën. Janë të ftuar të japin kontributin e tyre. Të shkëputen nga Ali-Basha, i cili është varianti bis i Lulzim Bashës në raportet me Edi Ramën.

Vetëm një ndryshim mund të ketë, se Bashës i bënte ndonjë telefonatë Rama, kurse për këtë ka ngarkuar Taulant Bego Yaris apo Taulant Sharrën. Qëllimi i protestës është të ngrejë qytetarët në këmbë kundër këtij regjimi armiqësor. Çdo njeri që i thotë vetes shqiptar, e konstaton këtë. T’i ngremë shqiptarët në këmbë kundër një regjimi që ka futur duart në xhepat e tyre dhe po i varfëron çdo ditë.

Edi Rama është i vetmi kryeministër që ia mbath para se të fillojnë protestat. Kjo është e vërtetë. Ndiqeni atë ditë, nga tunelet e Skraparit deri në galeritë e Klosit, në asnjë protestë ai nuk ka qëndruar në zyrë. Kemi të bëjmë me një front në këtë protestë. Vendimet merren nga koalicioni, nga fronti”.