Transmetuar më 23-06-2022, 22:50

Në Shqipëri shiten lirisht cigare duhani me ngrohje si Iqos dhe Lilly të tregtuara nga Philip Morrid që prodhon edhe Marlboro. Shumë njerëz ankohen se kalimi nga duhani tradicional në atë me ngrohje si Iqos ka bërë që të konsumojnë çdo ditë shumë më tepër cigare me këto pajisje

UASHINGTON, SHBA – Zyrtarët federalë të shëndetësisë urdhëruan të enjten Juul të tërhiqte cigaret e saj elektronike nga tregu amerikan, raporton noa.al duke cituar AP. Kjo është goditja më e fundit për kompaninë e luftuar vazhdimisht nga autoritetet amerikane. Kompania më e madhe në botë e këtyre cigareve fajësohet gjerësisht për shkaktimin e një rritjeje të frikshme të adoleshentëve përdorues.

Vendimi është pjesë e një përpjekjeje gjithëpërfshirëse nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave për të sjellë një shqyrtim shkencor në industrinë e cigares që lëshon avull, një biznes shumë miliarda dollarësh që po lulëzon për shkak se ka prej vitesh vonesa rregullatore.

FDA tha se Juul duhet të ndalojë shitjen e pajisjes së saj të cigareve dhe ato që tashmë janë në treg duhet të hiqen.

Për të qëndruar në treg, kompanitë duhet të tregojnë se cigaret e tyre elektronike ndihmojnë shëndetin publik. Në praktikë, kjo do të thotë të provosh se duhanpirësit e rritur që i përdorin ato ka të ngjarë ta lënë ose reduktojnë duhanin, ndërsa adoleshentët nuk kanë gjasa të jenë përdorues.

FDA foli për kimikate potencialisht të dëmshme që rrjedhin nga cigaret e Juul duke pohuar edhe se kompania fsheh të dhënat.

Shoqata Amerikane e Mushkërive e quajti vendimin e së enjtes "të vonuar, por shumë të mirëpritur" dhe përmendi Juul për nxitjen e përdorimit të këtyre cigareve prej të rinjve.

Cigaret elektronike u shfaqën për herë të parë në SHBA më shumë se një dekadë më parë me premtimin për t’u ofruar duhanpirësve një alternativë më pak të dëmshme. Pajisjet ngrohin një sasi nikotine në një avull që thithet, duke anashkaluar shumë nga kimikatet toksike të prodhuara nga djegia e duhanit.

Por studimet kanë arritur rezultate kontradiktore nëse ato i ndihmojnë vërtet duhanpirësit të lënë duhanin. Përpjekjet nga FDA për të vendosur mbi produktet e duhanit me ngrohje dhe avull u ngadalësuan në mënyrë të përsëritur nga lobimi i industrisë dhe interesat politike konkurruese.

Çështja e këtyre cigareve mori një urgjencë të re në 2018-ën kur pajisjet e Juul-it me përmbajtje të lartë nikotine dhe me shije frutash u bënë shpejt një mani mbarëkombëtare mes nxënësve të shkollave të mesme dhe të larta.

Kompania përballet me një mori hetimesh federale dhe shtetërore mbi praktikat e saj të hershme të marketingut, të cilat përfshinin shpërndarjen e produkteve falas Juul në koncerte dhe festa të organizuara nga influencues të rinj. Kjo praktikë ndiqet nga kompanitë e cigareve dhe duhanit me ngrohje edhe në Shqipëri duke bërë promocione, shpërndarë dhurata në lokale, organizime të ndryshme.

Në vitin 2019, kompanisë Juul iu bë presion dhe u urdhërua për të ndalur të gjitha reklamat dhe për të eliminuar shijet e saj të frutave dhe ëmbëlsirave. Në Shqipëri, duhani me ngrohje gjen terren të reklamojë gjerësisht në shumë portale.

FDA paraqiti plane për të vendosur një nivel maksimal të nikotinës për produkte të caktuara të duhanit për të reduktuar varësinë e tyre. Agjencia ka investuar në një fushatë multimediale edukimi publik që synon të paralajmërojë të rinjtë për rreziqet e mundshme të përdorimit të këtyre cigareve.

Në Shqipëri shiten lirisht cigare duhani me ngrohje si Iqos dhe Lilly të tregtuara nga Philip Morrid që prodhon edhe Marlboro. Shumë njerëz ankohen se kalimi nga duhani tradicional në atë me ngrohje si Iqos ka bërë që të konsumojnë shumë më tepër cigare me këto pajisje. /noa.al