Transmetuar më 23-06-2022, 09:50

José Mourinho u largua dje nga Namibia, pas një udhëtimi të jashtëzakonshëm me familjen e tij. Ditët e fundit të pushimeve në këtë vend, trajneri i Romës ka qenë dëshmitar edhe i një skene romantike në shkretëtirën e vendit afrikan.

Teksa po bënte një xhiro nëpër shkretëtirë, ai pa një propozim martese nga një djalë, i cili i gjunjëzuar në rërë i kërkoi të fejuarës të martohej me të. Jo larg ndodhej Mourinho, i cili me kënaqësi u fotografua me ta pas “po-së” së vajzës.

“Ti je i i veçanti (Special One) sot”, – i tha djalit, dyfish i kënaqur me propozimin për martesë dhe takimin me trajnerin e mirënjohur.

Pushimet e trajnerit portugez – José Mourinho po shkëlqen si yll edhe në Namibi. Diçka e pashmangshme për “Special One”, që po udhëton me pushime në vendin e Afrikës Jugperëndimore, bashkë me familjen e tij.

Nga aeroporti përmes hotelit deri tek guidat e safarit; të gjithë e njohën Mou dhe të gjithë kërkuan një foto ose ‘selfie’ me trajnerin e Romës. Mourinho po shijon pushimet e merituara pas sezonit të parë në Romë. Ai ka vendosur t’i kalojë disa ditë në Namibi me familjen.

Një pushim relaksues me pesë yje, por edhe me shumë aventura. Tekniku dhe familja udhëtuan shumë në shkretëtirë, përmes heshtjes shurdhuese të thyer vetëm nga disa shpërthime ere, pastaj një safari i mrekullueshëm në parkun kombëtar “Etosha” mes zebrave, elefantëve, gjirafave, por jo vetëm.

Në mbrëmje vëzhguan edhe kafshë të tilla si rinocerontët dhe luanët, duke pirë në një nga pellgjet me ujë pranë kampit të tyre.

Dy javë që Mourinho nuk do t’i harrojë kurrë, ashtu si edhe tifozët atje që patën fatin ta takonin. Fillimisht në aeroportin Hosea Kutako, kur zbarkoi, më pas mes resortit dhe udhëtimeve në natyrë.

Mourinho nuk e ka kursyer veten dhe ka bërë ‘selfie’ me të gjithë fansat e tij. Mediat lokale nuk bëjnë gjë tjetër veçse ndjekin hapat e tij, të tërhequra nga “Special One” dhe popullariteti i tij, i cili po ndihmon gjithashtu turmizmin në Namibi.