Transmetuar më 22-06-2022, 10:15

Inter-Lukaku, ja ku jemi. Klubi zikaltër dhe Chelsea kanë finalizuar detajet përfundimtare të marrëveshjes. Operacioni praktikisht po mbyllet. Sipas zërave të fundit, rikthimi i belgut te zikaltrit duhet të përfundojë në bazë të huazimit të rëndë prej 8 milionë eurosh, plus 2 milionë bonuse të lidhura me fitoret e ekipit.

Ndër të tjera, duke përfunduar marrëveshjen deri më 30 qershor, Interi do të mund të gëzojë sërish përfitimet e "dekretit të rritjes". Lukaku vjen i freskët nga një sezon i keq te Chelsea.

Në Milano ishte protagonist i dy viteve të shkëlqyera, kur Interi i Antonio Contes fitoi titullin, duke i dhënë fund hegjemonisë së Juventusit. Për belgun në atë sezon kujtohen 24 gola në 36 ndeshje, në partneritet me Lautaro Martinez.

I njëjti "tandem" është i destinuar të riformohet sërish sezonin e ardhshëm nën drejtimin e Simone Inzaghi, që gjithmonë ka shtyrë për rikthimin e madh të belgut. Nëse vjen edhe Paulo Dybala, zikaltrit mund të udhëhiqen nga një treshe sulmuese me të vërtetë "atomike".

Vetëm një vit më parë, sulmuesi belg u largua nga klubi milanez për t’u rikthyer te Chelsea përkundrejt një transferimi monstruoz me vlerë mbi 110 milionë euro. Pas vetëm një sezoni, vendosmërisht dorështrënguar në kënaqësitë personale, belgu mbush valixhet dhe rikthehet në “San Siro”.

Me fanellën e Interit, Lukaku shënoi 64 gola në 95 ndeshje në total, duke u bërë një “strumbullar” i pazëvendësueshëm brenda skuadrës së trajnerit Antonio Conte në atë kohë.

Ai është një rikthim shumë i mirëpritur për popullin zikaltër dhe gjithashtu Simone Inzaghin, i cili, i sapo ka rinovuar deri në vitin 2024. Më në fund, ai do të jetë në gjendje të stërvitë qendërsulmuesin me të cilin kishte kaluar pak ditë verën e kaluar, gjatë grumbullimit parasezonal.