Transmetuar më 22-06-2022, 09:33

TIRANË- Një ditë pasi magazina me kallashnikovë, snajper e automatikë u vu nën sekuestro është zbuluar se pas tij qëndron një grup i fuqishëm kriminal që operon në Tiranë. Të gjitha armët janë dërguar në laborator dhe ekspertimi i tyre mund të zbardhë vrasje të tjera të kryera nga i njëjti grup. Përmes analizës balistike apo gjurmëve që mund të gjenden në to, pritet të zbardhen detaje në krime të ndodhura më herët.

Në pranga u vu një 27-vjeçar me dy mbiemra, E. P. (B), banues në Tiranë, i cili dyshohet se është përfshirë edhe në aktivitete të tjera.

Një ditë më parë u sekuestruan tek Liqeni i Thatë: 2 snajpera (njëri prej tyre prodhim i viteve të fundit), 4 armë zjarri kallashnikov, 2 armë zjarri automatike, 4 armë zjarri pistoleta me silenciator, 85 pako me municion luftarak të kalibrave të ndryshëm, pjesë të ndryshme armësh, shënjestra optike për armët e precizionit (snaiper), një sasi e konsiderueshme krehra armësh, tre kallëpe tritoli, sasi lënde e dyshuar eksplozive, 2 palë portotarga elektrike për fshehjen e targave dhe 5 paruke, një automjet, 3 aparate celulare, 2 laptopë dhe një pasaportë e dyshuar e falsifikuar.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e aktivitetit dhe rrjetit në fjalë.