Transmetuar më 20-06-2022, 23:05

GREQI- Shqipëria është një vend i pasur me burime natyrore. Por sërish vuan për ujë të pijshëm. Janë vendet fqinjë që po shohin mundësinë të shfrytëzojnë burimet tona.

Kryetari i Bashkisë së Korfuzit të Veriut, George Machimaris, ka ngritur çështjen e transferimit të ujit nga Shqipëria, për të përballuar mungesën e pritshme të ujit në dekadat e ardhshme në ishullin e Korfuzit.

Televizioni shtetëror grek ERT raportoi se po përgatitet një propozim për marrëveshje midis dy vendeve për të ndërhyrë tek Syri i Kaltër në Sarandë dhe për t’ia transferuar ujin e kulluar të burimit nëntokësor, Greqisë.

Në propozimin e kryebashkiakut shkruhet:

Menaxhimi i burimeve ujore është i lidhur drejtpërdrejt dhe i përfshirë në mënyrë aktive si me ekonominë dhe zhvillimin, ashtu edhe me mjedisin dhe është një parakusht për çdo formë të zhvillimit shoqëror.

Me saktësi matematikore dhe duke marrë parasysh të dyja zhvillimet dhe gjendjen aktuale, në vitet në vijim do të përballemi me një krizë uji, një krizë që po zvarritet me të njëjtat karakteristika për më shumë se 30 vite rresht.

Me ndjenjën e përgjegjshmërisë ndaj shoqërisë sonë, ndaj vizitorëve tanë, ne i jemi nënshtruar një propozimi/memorandumi teknik për furnizimin me ujë me transferim burimi nga SYRI I KALTËR i Shqipërisë fqinje, duke marrë në konsideratë dhe shfrytëzuar përvojën e tubacionit nëndetësor që lidh ujësjellësin e Aeginës me EYDAP në Salaminë, përvojën e akumuluar të pushtetit vendor dhe studime ekzistuese si ai i Politeknikut (1991).”