Transmetuar më 19-06-2022, 23:19

KOSOVË- Nesër takohen në Prishtinë qeveria shqiptare dhe ajo kosovare. Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të heqë të gjitha tarifat doganore mes Shqipërisë e Kosovës. Rama ka vizituar një fabrikë prodhimi mielli dhe ka bërë të ditur se qeveria që ai drejton, do t’i heqë të gjitha tarifat doganore me Kosovën, duke nisur nga produktet bujqësore. Kryeministri Rama bëri thirrje që edhe qeveria e Kosovës ta bëjë të njëjtën gjë, duke shtuar se do të presë që qeveria ta analizojë mjaftueshëm.

“Bashkë me ministren Frida Krifca flisnim për rritjen e bashkëpunimit dhe për shkrirjen komplet të të gjithë pengesave të kufirit me Kosovën, edhe kur vjen puna tek produktet bujqësore, kjo është A-ja. Ne kemi bërë një plan që do t’i heqim krejt tarifat doganore me Kosovën, do t’i heqim plotësisht. Dëshirën e kemi që të bëhet bilaterale me Qeverinë e Kosovës, por ne do ta bëjmë, ata kanë kërkuar më shumë kohë për ta analizuar. Kështu ne do t’i heqim tarifat për gjithçka që vjen nga Kosova, përjashto atë të skanimit se ajo është e trashëguar dhe s’lëviz por në gjithë pjesën tjetër më nuk do të ketë më tarifa për të gjithë ata që do eksportojnë nga Kosova në Shqipëri. Anasjelltas duhet ta bëjë qeveria e Ksoovës por qeveria e Kosovës do më shumë kohë për ta studiuar, ne do ta bëjmë gjithsesi. Sepse ne nuk duam që ta kemi pa tarifa për Ballkanin e Hapur e mos ta kemi me Kosovën, është e pakuptimtë,”- tha Rama ndër të tjera.

Nesër do të zhvillohet mbledhja e 8-të mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.