Transmetuar më 17-06-2022, 23:00

ELBASAN- Emisioni investigativ “Stop” ka shkuar në Elbasan për rastin e zotit Emin Musai, i cili në periudhën 2005-2008 është pajisur me kontratë uji dhe ka marr ujë nga rrjeti i vjetër. Më pas është ndërprerë uji dhe Emini ka hapur pus, duke e zgjidhur vetë problemin e furnizimit me ujë. Në Maj 2022 njoftohet nga përmbaruesi për një detyrim ndaj UKE në vlerën 2 milionë lekë të vjetra, detyrim i mbledhur për një periudhë 10-vjeçare.

Denoncuesi: Në 2003-shin kemi ardhur këtu dhe kemi ndërtuar shtëpitë. Kemi paguar rregullisht faturat çdo muaj. Pas 2008-ës rrjeti ishte i amortizuar dhe u ndërpre sepse nuk furnizoheshin, atëherë u shtua dhe lagjia. Në 2008-ën u ndërpre kjo si linjë. Isha i detyruar se kisha bahçe dhe u detyrova dhe hapa një pus. Më vonë sollën një linjë tjetër dhe pastaj nuk mora se nuk kisha nevojë. Para 10 ditësh më ka ardhur një faturë me postë nga përmbarimi që jam debitor gati 2 milionë e disa lekë. Shkova për t’u sqaruar atje dhe më thanë se ke pasur një kontratë dhe ata pretendojnë se është kontrata e hapur. Ata nuk më kanë sjellë asnjë faturë uji që unë jam debitor. Ato më faturojnë dhe sot mua se unë gjoja marr ujë, kur unë nuk kam ujë nga rrjeti.

“Stop” shkoi në UKE dhe takoi zv. administratorin Julian Dervishi, i cili shprehet se faturimi ka vazhduar aforfe pasi zotëria nuk ka mbyllur kontratën e hapur në vitin 2005 dhe e vetmja zgjidhje është gjykata.

Gazetarja: Pse është lënë ky qyetatar për një kohë kaq të gjatë pa u njoftuar se është debitor kundrejt këtij institucioni?

Administratori: Është lëshuar një urdhër ekzekutimi për debutimet e papaguara, kontratë për të cilën zotëria pretendon se e ka pasur por nuk e ka mbyllur. Tani sipas kodit të ujit, pika 4.2 jepen qartë se si mbyllet një kontratë uji. Është qyetari ai që duhet të paraqitet që nuk i nevojitet më uji, të paraqitet pranë zyrave. Të bëjë kërkesën për mbylljen e kontratës, një gjë që zotëria nuk e ka bërë. Në zonën ku zotëria jeton ka pasur një investim, pas periudhës që zotëria ka ndaluar pagesën, edhe linja e vjetër me të cilën zotëria ishte i lidhur është ndërprerë. Duke qenë se zotëria ishte debitor, nuk i është ofruar asnjë lloj shërbimi dhe një lidhje e re uji, gjë për të cilën sërish zotëria nuk ka reaguar. Nuk ka paguar detyrimet, nuk ka bërë kërkesën për mbylljen e kontratës dhe vazhdon faturimi sipas kodit të ujit. Kontrata që ka pasur zotëria është detyrim afrofe për 2 persona sipas cerifikatës që ka paraqitur pranë Ujësjellës-Kanalizime Elbasan. Në terren janë lexuesit çdo ditë, por lexuesit nuk bëjnë shkresa zyrtare. Fakti që zotëria e mohon, nuk më provon asgjë që nuk ka pasur një komunikim me lexuesin. Situata mund të ishte evituar shumë më përpara. Më tej unë nuk mund të bëj dot asgjë pa një urdhër gjykate. T’i drejtohet gjykatës.